Në këtë artikull, do të fokusohemi në imazhin e gruas në Kuran dhe në traditën profetike, në krahasim me statusin që zë ajo në realitetin e çrregullt dhe ndikimit e tij në shëndetin e saj mendor.
Thotë Zoti në Kuran, duke deklaruar origjinën e krijimit të burrit dhe gruas: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”[1]
Zoti ka shpallur një kapitull të plotë, suren Nisa, për shumë dispozita që kanë të bëjnë me femrën. Ky kapitull fillon me një deklaratë themeltare dhe të rëndësishme, lidhur me origjinën e secilit prej burrit dhe gruas, origjinë e cila është një e përbashkët. Ky fakt, hedh poshtë pretendimet dhe hipotezat e disave që thonë se natyra e gruas është e ndryshme nga ajo e burrit. Të dy, si burri dhe gruaja, janë krijuar dhe rrjedhin nga i njëjti burim, të dy janë të prirur për të mirën dhe të ligën, për udhëzimin dhe humbjen. Thotë Zoti në Kuran: “Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.”[2]
Kjo barazi në përgjegjësi dhe shpërblim, konfirmohet në një formë akoma më të plotë, kur të dy përmenden paralelisht në ajetin: “Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), të duruarit dhe të duruarat, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.”[3] “Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim). Atyre që u shpërngulën, u dëbuan nga vatrat e tyre, u munduan në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua mbuloj veprat e këqija dhe do t’i shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu. Shpërblimi më i mirë është tek Allahu.”[4]
Nuk ka portretizim dhe përshkrim më të plotë të marrëdhënieve bashkëshortore, sesa vargu kuranor: “Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato.”[5]
Një përshkrim i tillë, përfshin të gjithë domethëniet e ndërthurjes dhe gërshetimit mes të dyve, duke ruajtur pavarësinë e secilit, të drejtat e barabarta, përkujdesjen, afërsinë, miqësinë dhe dashurinë.
Marrëdhëniet mes dy bashkëshortëve nuk mund të ndërtohen në bazë të dhunës, despotizmit, shtypjes dhe arrogancës – siç veprojnë shumë njerëz duke keqpërdorur dhe emrin e fesë – por ndërtohen në bazë të miqësisë dhe mëshirës, ose po të përdorim termat bashkëkohorë; dashurisë, emocioneve, ndjenjave të ndërsjellta dhe dhembshurisë. Kjo manifestohet në ajetin: ”Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.”[6]
Prandaj, dhuna që disa burra ushtrojnë mbi gratë, gjë e cila u shkakton këtyre të fundit vuajtje psikologjike të rënda, nuk ka asnjë bazë fetare. Në fakt, ajo ushtrohet nga njerëz të sëmurë, të cilët fshihen pas disa teksteve të sajuara, ose që interpretojnë tekstet e sakta sipas opinionit të tyre patologjik, i cili e sheh me dyshim gruan, e nëpërkëmb dhe dëshiron ta varrosë të gjallë, për ta zhdukur nga dinamika e vrullshme e jetës. Imazhet e tyre për gruan, janë imazhe të injorancës dhe mesjetës, kur gruaja konsiderohej si një “send” dhe që shërbente për argëtimin e burrit. Ajo nuk kishte të drejta dhe dinjitet. Disa njerëz, e justifikojnë dhunën dhe shtypjen që ushtrojnë ndaj gruas, me ajetin e Kuranit: ”Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.”[7]
Autoriteti që ceket këtu, ka si qëllim dhe domethënie udhëheqjen e shtëpisë dhe përkujdesin familjar. Në asnjë formë, nuk mund të interpretohet me arrogancën dhe shfuqizimin e të drejtave të gruas. Ky lloj autoriteti, ka lidhje të drejtpërdrejtë me rolin dhe përgjegjësitë që Zoti i ka ngarkuar burrit në përgjithësi. Nëse burri nuk gëzon aftësinë për një rol dhe përgjegjësi të tillë, automatikisht i hiqet dhe kjo përgjegjësi. Këtë e gjejmë tek disa familje, ku gruaja është më e pjekur, me personalitet më të fortë se burri dhe ka aftësi komanduese më të mëdha se ai.
Tani le të kalojmë nga ajetet e Kuranit tek hadithet profetike, për ta eksploruar akoma më shumë imazhin dhe statusin e gruas. Nëse burrat do e konceptonin siç duhet statusin dhe rëndësinë e saj, nuk do e braktisnin në labirintet e harresës dhe klinikat psikologjike. Thotë i dërguari i Zotit (a.s) : “U këshilloj të silleni mirë me gratë, pasi gruaja është krijuar nga një brinjë e lakuar. Pjesa më e lakuar e brinjës është maja e saj. Nëse do të orvatesh ta drejtosh, do ta thyesh. Nëse do e lësh ashtu, e lakuar do të mbesë. Prandaj, silluni mirë me gratë!” [8]
Krahasimi me brinjën e lakuar në këtë hadith, nuk shihet si diçka e metë fizike. Zoti është i përsosur në gjithçka dhe nuk mund të mendohet se krijon krijesa me të meta fizike. Lakueshmëria e brinjës, është një domosdoshmëri e cila i shkon për shtat natyrës së gruas. Ajo që e vërteton këtë, është se vetë brinja fizike, është e lakuar, pasi vetëm kështu ajo ofron mbrojtjen maksimale për organet e brendshme.
Gruaja ka një natyrë të caktuar, e cila dallon nga burri, pasi roli i saj është i ndryshëm nga i burrit. Ky dallim, nuk e vë gruan në një pozitë më të ulët se burri, pasi është dallim në role dhe përgjegjësi. Me këtë natyrë, ndoshta gruaja nuk është tek pritshmëritë dhe llogaritë e burrit. Nëse ajo do të ishte tek pritshmëritë e tij, kjo do të thotë se ka dalë nga natyra e saj femërore, duke veshur një maskë nga e cila frikësohen burrat.
Në një transmetim të dytë, Profeti (a.s) thotë: “Gruaja është si brinja e lakuar. Nëse do të orvatesh ta drejtosh, do e thyesh. Nëse do ta shijosh, duhet ta shijosh ashtu siç është, e lakuar.”
Disa burra fanatikë dhe mustaqegjatë, këtë hadith e interpretojnë në disfavor të gruas, pra e shohin atë si inferiore. Në fakt, hadithi vetëm sa flet për natyrën e kësaj krijese të brishtë, natyrë e cila i shkon për shtat rolit të saj. Ky hadith bën thirrje që gruaja të trajtohet me dashuri, butësi dhe dashamirësi.
Në një transmetim te imam Muslimi, Profeti (a.s) thotë: “Gruaja është krijuar nga një brinjë, e cila nuk qëndron drejt. Nëse do e shijosh, do e shijosh ashtu siç është e lakuar. Nëse do të orvatesh ta drejtosh, do e thyesh dhe thyerja e saj, është divorci.”
Thotë i Dërguari i Zotit (a.s): “Besimtari nuk e urren besimtaren (gruan e tij). Nëse urren tek ajo një cilësi, do pëlqejë një cilësi tjetër.”[9]
Ky hadith konsiderohet një parim objektiv, dashamirës dhe i drejtë në komunikimin me gruan. Natyra e saj – ashtu si natyra e burrit – është e prirur si për mirë ashtu dhe për keq. Burri nuk ka përse të presë vetëm të mira prej saj.
Thotë profeti Muhamed (a.s): “Besimtari më i përsosur është ai me moralin më të mirë. Më i miri mes jush, është ai që është më i miri me familjen e tij.”
Kur Profeti (a.s) u pyet mbi të drejtat e gruas, u përgjigj: “Ta ushqesh siç ushqehesh, ta veshësh siç vishesh, të mos e qëllosh në fytyrë, të mos përdorësh me të fjalë banale dhe mos e braktisësh veçse në shtëpi.”[10]
Ky hadith i garanton gruas të drejtat më themeltare si të ushqyerit, veshjen dhe dinjitetin.
Thotë profeti Muhamed (a.s): “Mos i qëlloni robëreshat e Zotit!” Disa kohë pasi Profeti (a.s) e kishte thënë këtë hadith, shkon Omer ibn Hattabi dhe i thotë: “O i dërguar i Allahut! Gratë po u kanosen burrave!” Atëherë Profeti (a.s) i lejoi burrat që ti edukojnë. Menjëherë pas kësaj, shtëpia e Profetit (a.s) u mbush me gra që ankonin burrat e tyre. Profeti (a.s) tha: ”Në shtëpinë e Muhamedit kanë ardhur shumë gra që ankohen nga burrat e tyre. Ta dinë se ata burra nuk hyjnë tek fisnikët myslimanë.”[11]
Nëse e studiojmë siç duhet këtë hadith, do të shohim se në origjinë, nuk lejohet që gruaja të goditet dhe qëllohet nga i shoqi. Thotë profeti Muhamed (a.s) në një hadith: “Mos i qëlloni robëreshat e Zotit.”
Askund nuk është vërtetuar se vetë i dërguari i Allahut (a.s) ka vënë dorë mbi ndonjërën nga gratë e tij, me gjithë problemet bashkëshortore që ka pasur, si çdo shtëpi tjetër. Ai është modeli më i mirë që mund të ndjekin burrat në komunikimin dhe marrëdhëniet me gratë e tyre. Thotë Zoti i Lartësuar në Kuran: “Jetoni e silluni mirë me to!”[12]
I Dërguari i Allahut (a.s) e dënonte dhunën që burri ushtron ndaj të shoqes dhe nuk e imagjinonte dot sesi ky burrë mund të shtrihej në mbrëmje për të fjetur me të shoqen. Ai thoshte: “Si mund ta qëllojë dikush prej jush të shoqen ashtu siç qëllon skllavin?! Si është e mundur që e qëllon ditën mandej shkon dhe shtrihet me të në shtrat në darkë?!”
Shumë dijetarë thonë se burri mund të vërë dorë mbi gruan, vetëm në raste tepër kritike, si atëherë kur gruaja nuk e pranon të shoqin në shtrat, largohet nga shtëpia etj… Pra vetëm në raste kritike dhe të domosdoshme.
Ndoshta shumë grave u duket e çuditshme kjo ide, por mos harrojmë se sipas studimeve zyrtare, nga 50 % deri në 70 % e burrave venë dorë mbi gratë e tyre. Kjo pa përjashtuar vendet e zhvilluara dhe të përparuara. Padyshim që një akti i tillë është tepër i shëmtuar dhe i refuzuar.
Profeti (a.s) edhe kur e lejoi, vendosi kufij dhe kritere të rrepta, duke e quajtur “Rrahje të lehtë”. Dikush e pyeti Ibn Abasin: Si e kupton rrahjen e lehtë dhe të padëmshme? Ibn Abasi u përgjigj: Është ajo që bëhet me misvak (tip furçe dhëmbësh)” Pra, nuk është rrahje në formën që kuptohet sot, por më shumë është diçka simbolike. Pra, edhe nëse në kushte dhe rrethana të caktuara u lejoka vënia dorë, ajo duhet të jetë në nivelin më minimal, thjesht një akt që simbolizon dhe e lë tjetrin të kuptojë se i ka shkelur të gjitha kufijtë. Bazuar në këtë, burrave u kërkohet që të heqin dorë dhe nga çdo formë tjetër që shkakton dëmtim dhe lëndim të gruas. Ata duhet ta dinë se dhuna ndaj gruas, do të pasqyrohet edhe tek fëmijët. Një grua e dhunuar, e shtypur dhe e poshtëruar, do ua përcjellë këtë edhe fëmijëve të saj, duke i trajtuar keq, rrahur dhe poshtëruar. Lëndimi, i nxjerr marrëdhëniet bashkëshortore nga rrethi i rahmetit dhe dashurisë, të cilat në fakt janë baza e kësaj marrëdhënieje.
Disa burra të tregojnë hadithet që flasin rreth bindjes së gruas ndaj burrit. Kështu, ata i kërkojnë gruas bindje dhe nënshtrim të plotë ndaj çdo kërkese të burrit. Por duhet bërë dallim mes bindjes së gruas ndaj burrit të cilin e dashuron dhe respekton, bindje të cilën e konsideron si formë adhurimi për Zotin, dhe mes nënshtrimit dhe poshtërimit që i bën burri të cilin e urren dhe e mallkon natë e ditë. I Dërguari i Zotit (a.s) e lidh lumturinë e burrit me gruan e mirë, kur thotë: “Kjo dynja është kënaqësi dhe kënaqësia me e mirë e saj, është një grua e mirë.”[13]
Në një hadith tjetër, Profeti (a.s) thotë: “Tre janë faktorët e lumturisë së njeriut; Gruaja e mirë, banesa e përshtatshme dhe mjeti i udhëtimi i rehatshëm.”[14] “Kujt i ka dhënë Zoti një grua të mirë, e ka ndihmuar të plotësojë gjysmën e fesë, prandaj le ti frikësohet Zotit për gjysmën tjetër!”[15] “Kujt i janë dhënë katër gjëra, i janë dhënë të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër… dhe një grua e cila i ruan nderin dhe pasurinë.”[16]
Ndaj gruas, kanë ekzistuar ide dhe besime tepër negative në mesjetë, të cilat u veshën me petkun e fesë. Në këtë periudhë, u përhapën bindje dhe besime se gruaja është e pistë, se ajo mbartte mallkimin e mëkatit të parë, se distancimi prej saj ishte vlerë për dikë që mundej. Madje, çështja nëse gruaja ishte thjesht trup, apo kishte edhe shpirt që mund të shpëtohej ose ndëshkohej, u shndërrua dhe në subjekt të kërkimeve dhe studimeve të asaj kohe.
Përfundimi i këtyre studimeve dhe hulumtimeve ishte se gruaja nuk ka shpirt të predispozuar për të shpëtuar dhe këtu nuk bën përjashtim asnjë grua, përveç Marisë së virgjër, nënës së Mesisë. Ky besim dominonte perandorinë romake të asaj kohe karshi gruas mbi të gjithë territoret ku më parë shtrihej civilizimi egjiptian. Për shkak të padrejtësive ndaj egjiptianëve të asaj kohe, një pjesë e madhe e tyre hoqën dorë nga jeta normale dhe iu përkushtuan jetës së murgjërisë. Edhe sot e kësaj dite, shumë nga asketët, mendojnë se murgjëria të afron më shumë me Zotin dhe të largon nga kurthet e djallit, ku e para e këtyre kurtheve është gruaja.
Për fat të keq, në kohët e prapambetjes, shumë myslimanë ndoqën të njëjtën linjë, duke e konsideruar gruan si diçka të fëlliqtë, vepër e shejtanit dhe se ajo është mekanizmi më i fuqishëm i shejtanit. Bazuar në këtë këndvështrim dhe imazh të tyrin për gruan, e izoluan totalisht nga jeta dhe roli i saj, me pretekstin e parandalimit të së keqes dhe pastrimit të shoqërisë nga ndotja prej saj. Këtë qëndrim të tyrin ndaj gruas, e bazojnë në hadithn e profetit Muhamed (a.s), i cili thotë: ”Pas meje, nuk kam lënë gjë më të dëmshme për burrat, sesa gratë.”[17]
Thotë shejh Kardavi, teksa komenton këtë qëndrim, në librin e tij “Fetva bashkëkohore” se: “Paralajmërimi për të mos u joshur nga diçka, nuk do të thotë se ajo është vetëm ligësi dhe sherr i gjithi, por do të thotë se kjo ka një ndikim të fuqishëm mbi burrin dhe se mund ta bëjë të harrojë Ahiretin. Bazuar në këtë, Zoti në Kuran na paralajmëron edhe nga tundimi i pasurisë dhe fëmijëve, në më shumë se një ajet të Kuranit. “Pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju. Allahu ka shpërblim të madh.”[18] “O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin.”[19] (Munafikun, 9)
Kjo, edhe pse pasuria dhe fëmijët radhiten tek mirësitë e Zotit dhe begatitë e Tij, të cilat Zoti ua jep kujt të dojë nga robërit e vet.
“Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë.”[20]
Ai ua konsideron si mirësi faktin që njerëzve u ka dhënë të mira, siç janë fëmijët dhe nipërit.
“Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat dhe ju furnizon me ushqime të mira.”[21]
Prandaj dhe paralajmërimi për fitnen dhe joshjen e grave, është si paralajmërimi për fitnen e pasurisë dhe kjo nuk do të thotë se këto mirësi janë diçka e keqe. Zoti thjesht na tërheq vëmendjen dhe na paralajmëron që të mos jepemi pas tyre më shumë sesa duhet, duke harruar përkujtimin dhe adhurimin e Zotit. Askush nuk e mohon dot faktin se burri më i fuqishëm, manifeston dobësi para një gruaje, bukurisë dhe joshjeve të saj, sidomos nëse ajo flirton me të. Joshja dhe tundimi i gruas mbeten si më të fuqishmit për një burrë. Bazuar në këtë, Profeti (a.s) i ka paralajmëruar burrat për këtë rrezik, me qëllim që të mos bien pre e instinkteve të tyre seksuale.
Në periudhën e mesjetës, burrat distancoheshin dhe u largoheshin grave gjatë periodave të tyre, jo vetëm në shtrat, por edhe gjatë ngrënies dhe qëndrimit në shtëpi. Sakaq, gjatë periudhës së dritës, shohim që profeti Muhamed (a.s) thoshte për veten: “Nga kjo jetë, më është dhënë dashuria për gratë dhe për parfumin. Sakaq, kënaqësinë e syve të mi e gjej në namaz.”
Shohim në këtë hadith, që Profeti (a.s) bashkon mes gruas dhe parfumit, një mesazh shumë i fuqishëm ky për qëndrimin e islamit ndaj femrës. Menjëherë pas dashurinë për gruan dhe parfumin, Profeti (a.s) përmend namazin. Një bashkim mes të treve, tregon se secili prej tyre gëzon një status të preferuar për gruan, larg statusit të periudhës para islame. Jo vetëm kaq, por shohim që Profeti (a.s) pinte me qëllim tek vendi i gotës ku kishte pirë e shoqja e cila ishte me periodat mujore. Me këtë, Profeti (a.s) vijonte të manifestojë vlerësimin, dashurinë dhe respektin që ndjente karshi gruas, edhe në momentet më të dobëta të saj.
Sa herë që Aishja, gruaja e Profetit (a.s) hante mish, Profeti (a.s) ia merrte dhe e kafshonte mu aty ku kishte ngrënë Aisheja. Ai mbështetej në prehrin e saj dhe lexonte Kuran në atë gjendje, edhe pse ndonjëherë ajo mund të ishte me periodat. Ai e puthte edhe gjatë periodave, luante me të, bënte gara vrapi dhe kush del i pari nga shtëpia. Ai thoshte lidhur me respektin për gratë: ”Më i miri prej jush, është më i miri me familjen e tij. Unë jam më i miri me familjen time.”
Gruaja në kohën e Profetit (a.s) nuk ishte e izoluar, por ishte prezente dhe aktive në shtëpi, xhami dhe në sheshin e luftës kur lipsej. Nuseje ibn Ka’b, doli në mbrojtje të profetit Muhamed (a.s) gjatë betejës së Uhudit. Ajo mori dhe një plagë, e cila i la shenjë në sup. Një grua i vajti profetit Muhamed (a.s) dhe debatoi për të shoqin, rast i cili u përjetësua dhe në Kuranin Fisnik dhe surja që e përmend këtë mori emrin: ”Surja e debatit”.
Të gjitha këto janë tregues dhe fakte kundër atyre që hedhin teza të tilla nëse i lejohet gruas të ushtrojë aktivitet politik dhe të votojë në zgjedhje apo jo. Ato mbeten fakte të pakontestueshme kundër të gjithë orvatjeve për izolimin, mënjanimin dhe madje varrosjen e çdo aktiviteti të jashtëm të gruas. Në fakt, një tendencë e tillë i ka rrënjët në tradita dhe zakone lokale, të cilat disa njerëz rreken ti veshin me petkun e fesë dhe ti zbukurojnë me interpretime të cekëta.
Nëse gruaja në kohë e Profetit (a.s) paska gëzuar një trajtim kaq specifik si bashkëshorte, ajo gëzon një status dhe trajtim shumë herë më të privilegjuar si nënë. Shkoi dikush tek profeti Muhamed (a.s) dhe e pyeti: “O i dërguar i Zotit, kush është njeriu që e meriton më së shumti shoqërinë dhe respektin tim?” Profeti a.s iu përgjigj: “Nëna.” Burri e pyeti: “Po pas saj?” Profeti (a.s) iu përgjigj: ”Nëna.” Burri pyeti: “Po pas nënës?” Profeti (a.s) u përgjigj: “Nëna.” Burri, e pyeti për të katërtën herë: “Po pas saj?” Profeti (a.s) u përgjigj: :Babai.”[22]
Sakaq, për gruan si bijë, duhet të dimë se Islami erdhi dhe i dha fund një zakoni të egër, varrosjes së vajzave për së gjalli. Veç kësaj, islami u kërkoi arabëve myslimanë që vajzat e tyre ti trajtojnë me dinjitet, të kujdesen dhe edukojnë, si kusht për të fituar xhenetin.
Përveç varrosjes fizike, islami ua ndaloi ithtarëve të tij edhe varrosjen shpirtërore, atë që shumë prindër në ditët tona vazhdojnë ta praktikojnë duke i privuar vajzat e tyre nga arsimi, kultura dhe luajtja e një roli pozitiv në jetë. Për këta prindër, sjellim shembullin e Esmasë, vajzës së Ebu Bekrit, e cila luajti një rol vendimtar në një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën e profetit Muhamed (a.s) dhe të Islamit, atë të migrimit të Profetit (a.s) për në Medine. Ajo e furnizonte me ushqim dhe ujë Profetin (a.s) dhe të atin e saj në shpellën Theur, në jug të Mekës, duke kaluar në një rrugë të thepisur, krejt e vetme dhe e rrethuar nga shumë rreziqe.
Gruaja e Profetit (a.s), Aisheja, Zoti qoftë i kënaqur me të, mbajti një qëndrim krejt politik, pavarësisht nëse ishte i drejtë apo i gabuar, në konfliktin mes Aliut dhe Muavijes. Madje, ajo mori pjesë dhe ushtarakisht në betejën Xhemel. Nëse kjo pjesëmarrje politike dhe ushtarake do të ishte diçka e dënueshme në islam, padyshim që Aishja do të kishte hequr dorë dhe as që do i kishte hyrë kësaj pune.
Ky është imazhi i vërtetë i gruas dhe statusi i saj në islam, larg deformimeve ideologjike, zakoneve të verbra dhe praktikave të gabuara dhe diktatoriale, tëcilat e kanë hedhur gruan në krahët e çrregullimeve psikologjike, fizike dhe sociale, ndërkohë që disa të tjera i ka nxitur për tu rebeluar dhe për tu burrëruar për të marrë të drejtat e tyre, qoftë dhe me dhunë.
Autor: Muhamed El-mehdij
Përktheu: Elmaz Fida
[1] – Sure Nisa: 1.
[2] – Sure Shems: 7 – 10.
[3] – Sure Ahzab: 35.
[4] – Sure Ali Imran: 195.
[5] – Sure Bekare: 187.
[6] – Sure Rum: 21.
[7] – Sure Nisa: 34.
[8] – Buhariu dhe Muslimi.
[9] – Muslimi.
[10] – Ebu Daudi.
[11] – Ebu Daudi.
[12] – Sure Nisa: 19.
[13] – Muslimi.
[14] – Ahmedi.
[15] – Tabaraniu dhe Hakimi.
[16] – Tabaraniu.
[17] – Buhariu.
[18] – Sure Tegabun: 15.
[19] – Sure Munafikun: 9.
[20] – Sure Shura: 49.
[21] – Sure Nahl: 72.
[22] – Buhariu dhe Muslimi.