Një grua kubane që organizoi një udhëtim kontrabande me qenie njerëzore në vitin 2022 nga Kuba në Florida, që rezultoi në vdekjen e 16 personave, ka pranuar fajin për akuzat federale, transmeton Anadolu.
Zyra e Prokurorit të SHBA-së në Miami bëri të ditur se 26-vjeçarja Yaquelin Dominguez-Nieves, e cila qëndron në mënyrë të paligjshme në SHBA, të martën pranoi se “komplotoi për të kontrabanduar të huaj në SHBA”.
Sipas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë, Dominguez-Nieves pranoi se ka mbledhur mbi 11.500 dollarë nga familjet e emigrantëve në SHBA dhe fondet ia kishte dërguar të dashurit të saj në Kubë, i cili organizoi që emigrantët të hipin në një varkë peshkimi.
Varka u nis nga plazhi Playa Jaimanitas në Kubë më 16 nëntor të vitit 2022, por u fundos rreth 30 milje larg nga plazhi. Nga 18 pasagjerët, vetëm dy mbijetuan.
Sipas autoriteteve, të mbijetuarit thanë se varkës i mungonin jelekët e shpëtimit dhe kapiteni “duket se nuk dinte si ta drejtojë varkën”.
Sipas prokurorëve, akuzat parashikojnë një dënim maksimal me burgim të përjetshëm, me një minimum të detyrueshëm prej pesë vitesh.
Derisa marrëveshja për pranimin e fajësisë nuk specifikon dënimin që do të kërkohet, ajo sugjeron një ulje të mundshme për shkak të bashkëpunimit të saj. Shpallja e dënimit është caktuar për më 11 prill.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në vitin 2022, të paktën 269 emigrantë, kryesisht që udhëtonin në kontinentin e SHBA-së ose në Puerto Rico, humbën jetën në tentativën e tyre për të kaluar Detin Karaibe.
Një raport i vitit 2023 nga organizata theksoi gjithashtu 686 vdekje emigrantësh të regjistruara në kufirin SHBA-Meksikë në po të njëjtin vit.