Greqia përjetoi aksidentin më të rëndë hekurudhor në historinë e saj, me përplasjen ballë për ballë mes një treni pasagjerësh dhe një autokolone mallrash të martën në mbrëmje, e cila la 42 të vdekur, sipas një raporti të fundit, sot në mëngjes.
– Si ndodhi? –
Aksidenti ndodhi rreth orës 23:30 me orën lokale të martën (21:30 GMT) pranë luginës së Tempit, në Thesali, Greqia Qendrore, rreth 380 kilometra nga Athina, në linjën kryesore hekurudhore, ajo që lidh Athinën me Selanikun.
Treni ”Intercity” me 342 pasagjerë dhe 10 punonjës në bord është përplasur kokë më kokë me një autokolonë mallrash që bënte udhëtimin e kundërt dhe duke qenë në të njëjtën binar, sipas elementëve të parë të hetimit.
Më pas shpërtheu një zjarr. Dy lokomotivat u shkatërruan dhe tre makinat e para të trenit të pasagjerëve dolën nga shinat. Drejtuesit e dy trenave vdiqën menjëherë.
– Humbjet njerëzore –
Të paktën 42 persona u vranë, shumica e të cilëve ishin në vagonët e parë, sipas një raporti të Mbrojtjes Civile.
Dhjetëra të tjerë u plagosën.
Një numër i madh pasagjerësh ishin studentët që po ktheheshin në Selanik pas një fundjave të gjatë në Greqi.
– Imazhe apokaliptike –
Ekipet e zjarrfikësve dhe shpëtimtarëve që mbërritën në vendngjarje raportuan skena apokaliptike.
”Sapo mbërritën në vendin e katastrofës, ekipet tona u gjendën në një peizazh apokaliptik”, tha të mërkurën në kanalin televiziv publik ERT, Yiannis Goulas, presidenti i sindikatës së punonjësve të ndihmës së shpejtë (EKAV).
“Njerëz të mbuluar me gjak vraponin përreth duke kërkuar ndihmë. Njerëzit u shpërndanë nëpër fusha pasi u hodhën nga dritaret e thyera”, shtoi ai.
Pamjet e vagonëve të djegur në një lëmsh pjesësh metalike dhe xhamat e thyer u transmetuan drejtpërdrejt nga media.
Vagonë të tjerë më pak të dëmtuar u përmbysën në anët e tyre ndërsa shpëtimtarët përdorën shkallët për t’u përpjekur të çlironin të mbijetuarit duke përdorur dy vinça të mëdhenj.
– Hetime dhe arrestime –
Në kuadër të hetimeve të hapura menjëherë, shefi i stacionit hekurudhor të Larisës u arrestua, pas dëshmisë së tij në komisariat.
Ky 59-vjeçar po ndiqet penalisht për vrasje nga pakujdesia dhe lëndim trupor me dashje.
Nëse shpallet fajtor, ai përballet me burgim të përjetshëm.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili vizitoi vendin e ngjarjes, tha se “gjithçka tregon se tragjedia vjen, për fat të keq, kryesisht nga gabimi tragjik njerëzor”.
Përveç kësaj, ministri i Transportit Kostas Karamanlis dha dorëheqjen.
– Polemika –
Polemikat po shtohen mbi gjendjen e rrjetit hekurudhor të Greqisë, për të cilin disa ekspertë thonë se është i rrënuar.
Rrjeti hekurudhor është tradicionalisht i pazhvilluar dhe i vjetëruar, me grekët që përfitojnë nga një rrjet i dendur lidhjesh me autobus.
Kryetari i sindikatës së makinistëve, Kostas Genidounias pohon se “gjithçka bëhet me dorë, sistemet elektronike nuk funksionojnë që nga viti 2000”.
Në vitin 2017, kompania hekurudhore greke (Trainose) u ble nga kompania publike italiane Ferrovie Dello Stato Italiane (FS) si pjesë e një programi të gjerë privatizimesh të vendosura nga kreditorët e Greqisë gjatë dekadës së krizës financiare (2009-2019).
Nga Helene Colliopoulou/atsh