“Greqia nuk mund të shpallë zgjerimin e ujërave në drejtim të Shqipërisë nga 6 deri në 12 milje”

Deklaratat e Greqisë se planifikon të zgjerojë ujërat territoriale në Detin Jon nga 6 në 12 milje, rikthyen përsëri debatet dhe reagimet në lidhje me çështjet e hapura që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Greqisë, sidomos për kufizimin e zonave detare dhe për ndikimet që mund të ketë zgjerimi që pretendon shteti grek.

Politikanë, analistë, profesorë, ish-diplomatë dhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare lidhur me ndikimet e mundshme që mund kenë pretendimet apo veprimet e Greqisë për zgjerimin e ujërave territoriale, ndalen tek e drejta ndërkombëtare, por edhe tek specifika që kanë disa ishuj të Greqisë apo hapësira detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. 

“Është e papranueshme që të diskutohet për ujërat territoriale në një moment të pafavorshëm”

Shpëtim Idrizi, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe ish-nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) thekson se Greqia nuk ka ngritur këtë pretendim (zgjerimin e ujërave territoriale) as në momentin që u vendosën marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në vitin 1971 dhe as në momentin që konventa e Montego Bay e vitit 1982 për të drejtën e detit hyri në fuqi.

“Ndërkohë të bën përshtypje fakti pse pikërisht tani. Sigurisht që kjo është e lidhur edhe me kontekstin e gjithë ngjarjeve që ndodhin në rajon, edhe me konfliktin Greqi-Turqi. Por mbi të gjithë afekton ato çështje të hapura që ka Shqipëria me Greqinë për diskutime dhe për marrëveshjen e ashtuquajtur të ujërave. Shqipëria me Greqinë nuk kanë debat apo për të bërë marrëveshje për ujërat territoriale, sepse ujërat territoriale, pra kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë është vendosur që në vitin 1913 për të vazhduar më pas me Konferencën e Parisit të vitit 1921, për të kulmuar në traktatin e Firences në vitin 1925 dhe mbi të gjitha për delimitimin e kufirit në konferencën e ambasadorëve në Londër të vitit 1926 ku është bërë marrëveshja për kufijtë e Shqipërisë ndërmjet Greqisë, Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Pra është çështje e mbyllur edhe për palën shqiptare problemi i ujërave territoriale mes Shqipërisë dhe Greqisë”, shprehet Idrizi.

Sipas vlerësimit të Idrizit, neni 3 i marrëveshjes së Montego Bay thotë që një shtet mund t’i deklarojë 6 deri në 12 milje zgjerimin e ujërave territoriale, por në mënyrë integrale dhe Idrizi shton se sipas nenit 85 të konventës së detit të Montego Bay, kur kjo është e mundur, që do të thotë kur distanca midis dy brigjeve është më shumë se 24 milje dhe mund të deklarohen 12 nga njëra palë dhe 12 pala tjetër.

“Pretendimi i tanishëm i kryeministrit të Greqisë i cili deklaroi në parlamentin grek që ‘ne do zgjerojmë nga 6 deri në 12 milje në ujërat territoriale në drejtim të Shqipërisë dhe që kjo është një fitore e madhe e Greqisë’, pa dyshim që afekton marrëveshjen e pritshme mes Shqipërisë dhe Greqisë për zonat ekonomike. Sigurisht që kjo është një bjerrje e interesit kombëtar të Shqipërisë për disa arsye. Greqia thotë ne po zgjerohemi, padyshim që dikush ngushtohet”, shprehet Idrizi.

Debatet dhe reagimet e zyrtarëve, politikanëve, por edhe të ekspertëve janë përqendruar edhe në çështjen se kush ndikohet nga një zgjerim i mundshëm që pretendon Greqia. Sipas Idrizit, kjo situatë e vendos Shqipërinë në diskutimin për zonat ekonomike.

“Është e papranueshme që të diskutohet për ujërat territoriale në një moment të pafavorshëm, sepse nëse do të kemi parasysh zonën, Greqia para disa kohësh bëri marrëveshje edhe me Italinë, pra për zonat ekonomike me Italinë. Deti Jon ndahet ndërmjet 3 shteteve në veri të Korfuzit, ndërmjet Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë dhe aty janë dy ishuj. Greqia i përdor shpesh këto ishujt herë herë të pabanuar, ishulli Othonoi dhe ishulli i Erikuzës të cilët kanë nja 300 banorë aty, të cilëve Greqia në marrëveshjen me Italinë u ka dhënë plotfuqishmërinë e 12 miljeve në ujërat territoriale, që do të thotë se pranimi i Shqipërisë dhe mos ngritja e pretendimeve nga Shqipëria se këto dy ishuj nuk mund të kenë det territorial në 12 milje, do krijojnë precedentin që nesër kur të diskutohet marrëveshja për zonat ekonomike midis Shqipërisë dhe Greqisë, këta dy ishuj do të fitojnë plotfuqishmërinë me 12 milje dhe sigurisht që ngushtohet jashtëzakonisht zona ekonomike dhe shelfi kontinental i Shqipërisë, akoma më shumë ku siç dihet aty ka rezerva nafte dhe gazi”, thekon kreu i PDIU-së.

Në lidhje me tensionet në Mesdheun Lindor, Idrizi thekson se “Shqipëria nuk duhet të pretendojë me precedent indirekt të bëhet palë sepse ne do të dëshirojmë që flasim për Shqipërinë si vend i NATO-s, por edhe për Turqinë dhe Greqinë. Mirëkuptoj çdo shtet i cili mbron me forcë integritetin dhe sovranitetin kombëtar të vetin dhe të drejtat e saj, por pa dyshim që si tre vende të NATO-s do të ishte e udhës që bisedimet, kompromisi të shkonin drejt paqes dhe jo drejt konfliktit”.

“Sigurisht që jo kot Greqia bëri tani këtë deklarim. Ju kujtoj që e ka bërë, të njëjtën gjë ka pretenduar të njëjtën gjë që të bënte kryeministri (Alexis) Tsipras në tetor të vitit 2018, ku deklaroi në Parlamentin e Greqisë që në mënyrë të njëanshme ‘do të zgjerojmë ujërat territoriale nga 6 deri në 12 milje’. Në këtë moment ka pasur një deklarim shumë të drejtpërdrejtë të ministrit të Jashtëm të Turqisë, Çavuşoğlu i cili deklaroi që ‘zgjerimi në mënyrë të njëanshme i Greqisë nga 6 deri në 12 milje në drejtim të Jonit dhe në drejtim të Egjeut është e papranueshme për Turqinë’ dhe Greqia u tërhoq. Ky është momenti kur konflikti ndërmjet Turqisë dhe Greqisë është ashpërsuar shumë, është bërë një konflikt i hapur dhe më vjen keq që përveç ruajtjes së interesave për zonën ekonomike nga Shqipëria, Shqipëria të bëhet palë në një konflikt të tillë”, tha Idrizi.

“Greqia nuk mund të shpallë zgjerimin e ujërave në drejtim të Shqipërisë nga 6 deri në 12 milje”

Deklaratat e fundit të Greqisë mbi synimet për zgjerimin e ujërave territoriale kanë rikthyer përsëri edhe reagimet për negociatat mes Shqipërisë mbi një marrëveshje të mundshme për kufizimin e zonave detare. Në lidhje me këtë, Idrizi thotë që Shqipëria nuk ka për të diskutuar me Greqinë për ujërat territoriale që sipas tij janë përcaktuar me traktatet ndërkombëtare.

“Ka qenë gabim shumë i madh i Shqipërisë që hyri të negocionte për ujërat territoriale dhe atëherë një ishull i pabanuar, mes Korfuzit dhe Shqipërisë është ishulli i Barketës i cili është një ishull 6 metra, i cili kur ka baticë nuk duket dhe përdoret si precedent për ujërat territoriale. Shqipëria në atë marrëveshje (marrëveshja e vitit 2009) që fatmirësisht e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë humbiste 340 kilometra katrorë. Shqipëria duhet të jetë shumë e vëmendshme. Sigurisht që ne duhet të bisedojmë me Greqinë për zonat ekonomike, nisur nga ujërat territoriale që ne i kemi sot. Greqia nuk mund të shpallë dot zgjerimin e ujërave në drejtim të Shqipërisë nga 6 deri në 12 milje sepse nuk ekziston mundësia për 12 milje, sepse duhet të vijë në kodrat e Himarës”, shprehet ai.

Idrizi shton më tej se “Pra ne duhet të marrim ekspertizë, të informojmë partnerët tanë kryesorë strategjikë edhe të NATO-s dhe pa dyshim duhet të përgatitemi shumë mirë për të ruajtur identitetin, sovranitetin dhe interesat e Shqipërisë”, shprehet Idrizi.

Në lidhje me qëndrimin e shtetit shqiptar për qëndrimet e Greqisë për ujërat territoriale, Idrizi thekson se “Shteti shqiptar duhet të jetë shumë i qartë që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë duhet të kulmojnë dhe fillojnë me heqjen e ligjit të luftës që Greqia mban me Shqipërinë. Që nga viti 1940 Greqia mban ligjin e luftës me Shqipërinë, një akt i paprecedentë. Çamëria, zona e Epirit u aneksua nga Greqia në vitin 1913 dhe përballë një gjenocidi të pashembullt dhe spastrimi etnik shqiptarët e Çamërisë, pjesë e së cilës i përkas dhe unë janë vrarë, masakruar dhe deportuar në drejtim të Shqipërisë dhe çështja çame është çështja e dytë relevante që Shqipëria duhet të paraqesë me Greqinë dhe shumë gjëra të tjera ku diplomacia shqiptare duhet të jetë shumë e vëmendshme dhe të sillet me dinjitet dhe reciprocitet.”

“Mbetet për t’u parë nëse deklarata është e momentit apo është një objektiv parësor i Greqisë”

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe historiani Paskal Milo, në lidhje me deklaratat e kryeministrit të Greqisë për zgjerimin e ujërave territoriale në Jon nga 6 në 12 milje për AA thekson se e parë nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, nga pikëpamja parimore “deklarata mund të jetë korrekte sepse konventa Montego Bay e vitit 1982 u jep të gjitha vendeve bregdetare të drejtën që ta shtrijnë kufirin e ujërave të tyre territoriale deri në 12 milje atje ku ka mundësi të bëhet”.

“Por nëse këtë deklaratë e vendosim në një kontekst më të gjerë rajonal, por edhe për shkak të zhvillimeve që ndodhën në Mesdheun Lindor, kjo deklaratë provokoi të paktën në Shqipëri një reagim pro dhe kundër, por që mbetet për t’u parë nëse kjo deklaratë është një deklaratë zyrtare e momentit apo është një objektiv parësor i Greqisë për t’u materializuar në një marrëveshje të mundshme me qeverinë shqiptare”, u shpreh Milo.

Në lidhje me negociata e mundshme mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjet e hapura, Milo thekoi se mendohet që mund të rihapen negociatat ose të vazhdojnë ato atje ku u lanë me ardhjen e ministrit të Jashtëm të Greqisë në Tiranë gjatë ditëve në vijim.

Sa i përket qëndrimit të shtetit shqiptar në raport deklaratat e Greqisë për ujërat territoriale, por edhe për negociata e mundshme mes dy vendeve, duke iu referuar deklaratës zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe të kryeministrit Edi Rama, Milo tha se ky qëndrim “është që Greqia është në të drejtën e vet për të shpallur respektimin e këtij parimi për zgjerimin e ujërave territoriale deri 12 milje”.

“Sipas kryeministrit shqiptar nuk ka patur këto kohë negociata dhe as bëhet fjalë se mund të jetë nënshkruar një marrëveshje, por krijohet opinioni që negociatat mund të rifillojnë së shpejti për të përfunduar një marrëveshje që do të ketë në themel të saj përcaktimin e atij që quhet det territorial, përcaktimin e zonës ekonomike ekskluzive, dhe përcaktimin e shelfit kontinental. Ka një parapërgatitje, ka procesverbale negociatash, ose deri ku kanë shkuar, avancuar, në arritjen e marrëveshjes, kjo ka mbetur gjithnjë sekrete”, tha Milo.

Ish-kryediplomati i Shqipërisë, mbi tensionet e fundit Turqi-Greqi tha se tensionet greko-turke në Detin Egje janë tashmë historike dhe sipas tij “Në një mënyrë ose tjetër ka ekzistuar ky tension për vite të tëra, por në stadin aktual më duket se u tejkalua masa kritike e tensionit që ka ekzistuar midis dy vendeve në këtë rajon”.

“Fakti që është një çështje jo vetëm dypalëshe, por edhe shumë më tepër se prek një rajon ku ndërthuren interesat e shumë shteteve, e fuqive, rrjedhimisht dhe të NATO-s edhe të Bashkimit Evropian, e bën edhe më të rëndësishëm këtë tension të saposhfaqur. Unë besoj dhe jam i bindur që tensioni do të vijë duke u ulur sepse asnjëra palë nuk ka interes për zgjerimin e konfliktit në një rajon kaq delikat i cili mund të përshkallëzojë në kufij që nuk do të ishte e lehtë të administrohej nga cilido qoftë”, theksoi Milo.

Po në lidhje me këtë tension, ai tha se lajmi që të dy qeveritë kanë rënë dakord që të nisin negociatat nga pikëpamja teknike është një lajm i mirë dhe shtoi se “Përtej diskutimit teknik, politika duhet të presë me qëllim që duke ia lënë vendin ekspertëve, të mund të ulë tensionet të cilat nuk mund ti çojnë këto dy vende, që kanë shumë interesa të mëdha të gjera, që i lidhin shumë arsye për të bashkëpunuar dhe për të bashkëjetuar në një rajon të tillë. Unë jam i bindur që shpejt do të kalojë kjo situatë.” 

“Situata mund të bëhet konfliktuale nëse Greqia zgjeron ujërat pa marrëveshje”

Profesori i hartografisë dhe fotogrametrisë dhe ish-drejtor i Institutit Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë, Myslim Pashaj, në një deklaratë për AA në lidhje me pretendimet e Greqisë tha se zgjerimi i ujërave territoriale duhet të bëhet me marrëveshje, me dakordësinë e palëve.

“Nga pikëpamja parimore e drejta për të zgjeruar miljet sipas të drejtës ndërkombëtare e ka secili shtet. Kështu që Greqia deri para pak kohësh e ka pasur deri në 6 milje detare si ligj të brendshëm të saj dhe tani ka vendosur të zgjerojë këto ujëra deri në 12 milje detare. Por, me një por të madhe kushtet në të cilat ndodhet Greqia më Shqipërinë në Otranto dhe në Kanalin e Korfuzit e bëjnë që deklarata për zgjerimin e 12 miljeve detare të jetë e ndryshme. Pse e ndryshme, sepse Shqipëria dhe Greqia në Otranto ndodhen në kushte shumë të ndryshme, sepse Greqia përfaqësohet me një arkipelag, përfaqësohet me një ishull ekstremal që është Othonoi, ishull me 360 banorë. Shqipëria me Greqinë duhet me doemos të bëjnë një marrëveshje nëse do jepet ideja për të zgjeruar, të bëjnë negociata. A përfiton të njëjtën madhësi të detit territorial një ishull i vogël në krahasim me dheun kontinental, që është Karaburuni (Gadishulli i Karaburunit në brigjet e Shqipërisë). Jo”, shprehet ai.

Profesori Pashaj tregon se e drejta ndërkombëtare detare ka një parim tjetër, “zgjidhje e drejtë dhe e ndershme”, e cila bën sipas tij, “që të dy palët të ulen në tryezën e bisedimeve dhe aty të gjejnë kush është efekti i ishujve, pra ishulli do të ketë një efekt të plotë siç ka Karaburuni apo do ta ketë më pak, pra do ta ketë 6 milje, mund ta ketë 8 milje”.

Sipas Pashajt, Shqipëria nga pikëpamja ligjore, kryeministri i Shqipërisë dhe të gjithë institucionet që kanë lidhje me këto probleme e kanë pranuar këtë zgjerim në mënyrë parimore.

Ai tha se “Kryeministri i Shqipërisë ka qenë shumë i kujdesshëm dhe ka thënë që e drejta për zgjerimin e 12 miljeve i takon në bazë të drejtës detare ndërkombëtare, por siç ka thënë ministri i Jashtëm i joni (Gent Cakaj) duhet parë, atje ku lejon gjeografia, në rastin tonë për shembull të bashkësisë së ishujve ana gjeografike, rrethana gjeografike nuk e lejojnë që të marrin të njëjtën peshë, pra këtu është problemi, dhe në rastin tonë duhet me marrëveshje”.

Ai thekson se Greqia e ka bërë këtë deklaratë sepse nga pikëpamja strategjike nga pikëpamja e problemeve që ka në Mesdhe në përgjithësi “ajo kërkon me doemos që të zgjerohet dhe zgjerimi bëhet lirshëm” . Pashaj thekson më tej se “Për shembull në anën perëndimore nuk kas asnjë problem sepse janë ujërat larg, ishujt e Greqisë janë larg me Italinë. Sapo vjen tek ne, sapo vjen në Otranto tek ishulli ekstermal Othonoi atëherë ne themi jo, këtu ne nuk lejojmë që të zgjerosh. Pse, sepse do të bisedojmë, sepse nuk ke të drejta të barabarta ti që je një ishull i vogël dhe unë që kam dheun kontinental. Kjo nuk është kuptuar si duket.”

Profesori i cili ka kundërshtuar edhe marrëveshjen e anuluar të vitit 2009 Shqipëri-Greqi, shprehet më tej se problemet e Greqisë janë shumë komplekse sepse sipas tij vetë Deti Egje dhe Deti Jon kanë shumësi ishuj, “arkipelag i tërë dhe ka probleme dhe këto ishuj janë afër dheut kontinental të Turqisë, siç janë afër dheut kontinental të Shqipërisë.”

“Greqia e ka pranuar Konventën e Detit dhe është pjesë e konventës kurse Turqia nuk e ka pranuar. Në momentin që Greqia e pranoi Turqia shpalli ‘casus belli’, gjendje lufte. Kështu që ata e kanë situatën shumë konfliktuale, kurse ne nuk e kemi konfliktuale, mund ta bëjmë konfliktuale nëse Greqia me forcë apo jo me forcë zgjeron ujërat pa u marrë vesh me ne (Shqipërinë), por ne themi që do ulemi në tavolinën e bisedimeve”, shprehet ai.

Në lidhje me negociatat e mundshme Greqi-Shqipëri për kufizimin e zonave detare, ai tha se marrëveshja është e mundshme, nëse ka dëshirë të dyanshme të dy fqinjëve. “Ne kemi një problem, shqiptarët kanë një problem, sepse e kanë përmbysur marrëveshjen e vitit 2009 dhe kanë lënë një sërë problematikash që duhet të njihen. Greqia duhet me doemos në radhë të parë të pranojë që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka hedhur poshtë dhe të gjitha pikat që ka Gjykata Kushtetuese janë të detyrueshme për palën shqiptare që t’i ruaj në tavolinë e bisedimeve, për shembull efekti i ishujve”, tha Pashaj.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë (2010) nuk kapërcehet dot që do të thotë rifillim të negociatave. 

Reagimet në Shqipëri për deklaratat e kryeministrit grek për ujërat territoriale

Deklaratat e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis (26 gusht), se Greqia planifikon të zgjerojë ujërat territoriale në Detin Jon nga 6 në 12 milje, shkaktuan reagime në Shqipëri të politikanëve, zyrtarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Kryeministri Edi Rama, në lidhje me këtë çështje ka deklaruar se fjala e kryeministrit grek, Mitsotakis, në Parlamentin e Greqisë “nuk ka asnjë lidhje me ujërat territorialë të Shqipërisë, me ndonjë marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë. E drejta e 12 miljeve buron nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtës së Detit. Për sa i përket deteve tona, Shqipëria e ka ushtruar në vitin 1990 të drejtën e saj të shtrirjes në ato milje, në bazë të asaj konvente ndërkombëtarë të vitit 1982.”

Për të njëjtën çështje ka reaguar edhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, që sipas tij, e drejta që buron nga Konventa e së Drejtës së Detit, nuk është çështje negociate mes shteteve palë të konventës dhe se “Qeveria e Shqipërisë do të jetë e vëmendshme për çdo proces legjislativ në vendin fqinj, që mund të ketë ndikim në ushtrimin e sovranitetit territorial dhe të drejtave sovrane në hapësirën detare që i takon”.

Nga ana tjetër, lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Lulzim Basha, i ka bërë thirrje Qeverisë së Shqipërisë që të “bëjë transparencë çfarë po ndodh me negociatat për detin mes Shqipërisë dhe Greqisë”.

Thirrje për transparencë në lidhje me pretendimet e Greqisë dhe qëndrimet që duhet të mbajë shteti shqiptar kanë bërë edhe aktivistë dhe organizata të shoqërisë civile.

Në lidhje me thirrjet për transparencë, kryeministri Rama ka deklaruar disa ditë më parë se për kufijtë mes dy shteteve (Shqipërisë dhe Greqisë) nuk mund të ekzistojë asnjë marrëveshje e fshehtë.

Kujtojmë se në prill të vitit 2018, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë konfirmoi zyrtarisht fillimin e bisedimeve për kufizimin e zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërkohë mes palëve ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare mbi kufizimin e zonave detare dhe negociatat janë ndërprerë.

Në vitin 2009, mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Greqisë u nënshkrua një marrëveshje për çështjen e kufizimit të zonave detare, por marrëveshja në fjalë u shfuqizua në vitin 2010 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë që e shpalli të pavlefshme juridikisht dhe antikushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë vendosi në atë vit të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën projektmarrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Sipas Gjykatës Kushtetuese, në projektmarrëveshjen në fjalë u konstatuan shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982.