Akademikja Neval Konun Halaçoğlu nga Universiteti Marmara në Stamboll thotë se në Greqi ka rreth 20 mijë monumente osmane dhe ky vend nuk lejon që Turqia të restaurojë asnjërën prej tyre.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), Halaçoğlu tha se Greqia kurrë nuk e ka lejuar Turqinë të restaurojë ndonjë nga monumentet osmane në vend. Ajo thekson se Greqia regjistroi monumentet osmane si “monumente muslimane”, në vend që t’i regjistrojë monumente osmane ose turke, gjë që parandalon që Turqia të ketë fjalën mbi to.
“Ne (Turqia) nuk mund të restaurojmë as një shatërvan të vetëm dhe unë parashikoj se nuk do të na lejohet kurrë”, shprehet Halaçoğlu.
Monumente osmane ka në mbarë rajonin e Ballkanit dhe shumica e tyre, përveç atyre në Greqi, janë restauruar nga institucionet turke, kryesisht nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Halaçoğlu thotë se ndër monumentet osmane që Greqia i njeh si “monumente muslimane”, vetëm disa prej tyre u restauruan nga Greqia.
– Monumentet osmane të ndërtuara pas vitit 1831 nuk janë regjistruar
Greqia dhe Bullgaria kanë monumente edhe nga periudha shumë e hershme osmane.
Halaçoğlu tha se Greqia si datë referimi për regjistrimin e monumenteve osmane e ka vitin 1831, vitin e pavarësisë së saj.
“Prandaj, monumentet osmane të ndërtuara pas vitit 1831 në të gjithë Greqinë nuk janë të regjistruara”, thekson ajo.
Por, pas kësaj date, thotë Halaçoğlu, pjesa më e madhe e Greqisë ishte ende nën qeverisjen osmane dhe kjo e fundit humbi Greqinë veriore në vitin 1912.
Halaçoğlu thekson se midis viteve 1831 dhe 1912, shumë ndërtesa publike si shkolla, zyra qeveritare dhe kazerma ushtarake u ngritën nga osmanët në Greqinë e sotme, por asnjë prej tyre nuk është regjistruar.
– 36 burime osmane vetëm rreth shtëpisë së Ataturkut
Halaçoğlu shpjegon se Greqia në vitin 2006 përgatiti një inventar të monumenteve muslimane në vend. Sipas këtij inventari, në Greqi ka 8.731 monumente muslimane, duke përjashtuar ato të ndërtuara pas vitit 1831.
Sipas Halaçoğlu, në Greqi ka rreth 20 mijë monumente osmane.
Ajo thotë se osmanët kanë ndërtuar shumë burime dhe se ajo në qytetin grek Selanik ka zbuluar 36 burime vetëm në zonën përreth shtëpisë së Ataturkut, themeluesit të Turqisë.
Halaçoğlu u shpreh se disa monumente osmane kanë nevojë për restaurim të menjëhershëm dhe se Turqia mund të lejohet të paktën të marrë pjesë në procesin e restaurimit të atyre monumenteve.
Sot, Teqja Hasan Baba, një faltore sufi e shekullit të 14-të në Larissa, që nga viti 1962 ka mbetur nën restaurim, siç mund të shihet në një foto të faltorëve në atë vit, thotë Halaçoğlu, duke treguar atë si një shembull të qasjes së grekëve ndaj proceseve të restaurimit.
– “Nëse ne do të bënim një restaurim të ngjashëm, e gjithë Evropa do të alarmohej”
Halaçoğlu thotë se megjithëse Greqia restauroi disa monumente osmane, ajo nuk i qëndroi besnik stilit origjinal të monumenteve.
Greqia përdor ngjyra të tilla si të verës së kuqe ose të kaltër të errët, të cilat kurrë nuk u përdorën në një xhami.
Ajo shton se xhamia Ali Pasha në ishullin Rodos ose hamami në ishullin Lesbos, ishin nën restaurim të tillë, gjë që, siç thotë ajo, i bëri ata të duken si klube të natës.
“Ky lloj restaurimi shkatërron identitetin e monumenteve”, thotë ajo, duke shtuar më tej se, “Nëse ne do të restauronim një monument në Turqi në një mënyrë të ngjashme, e gjithë Evropa do të alarmohej”.
Halaçoğlu thekson se ndaj monumenteve osmane, Greqia ka një politikë të fshehtë ose duke i restauruar ato duke shkatërruar identitetin e tyre.
– Asnjë xhami e vetme e hapur për adhurim në Athinë ose Selanik
Më tej, Halaçoğlu thekson se Greqia kundërshton madje edhe ndihmën e një eksperti turk në restaurime.
Minarja e xhamisë Suleymaniye në ishullin Rodos u restaurua për dhjetë vite, sepse Greqia nuk ishte në gjendje të gjente një ekspert për minaret dhe ata nuk kërkuan një ekspert nga Turqia.
“Në 15 vitet e fundit, ne (Turqia) kemi hapur 84 kisha ortodokse greke për adhurim, të cilat u financuan nga Turqia”, kujtoi Halaçoğlu, duke shtuar se se disa nga këto kisha u rindërtuan pothuajse nga e para.
Siç thotë ajo, nuk ka asnjë xhami e cila është e hapur për adhurim në Athinë ose Selanik.
Halaçoğlu thekson se qyteti Rodos ka më shumë monumente osmane sesa disa qytete turke, të tilla si Edirne, një nga kryeqytetet e para të osmanëve të vendosura në veriperëndim të Turqisë së sotme.