Tingulli shurdhues që del nga i ashtuquajturi topi zanor, një autoparlant i montuar në automjetin e blinduar, eshte nje prej mjeteve moderne dixhitale qe perdorin tashme forcat kufitare te Greqise ne parandalimin e çdo përpjekje të emigrantëve për të hyre ne territorin grek.
Ndërsa kufizimet për shkak të pandemise po hiqen thuajse tërësisht dhe pritet përsëri një rritje e fluksit që vjet ra me 78%, Athina me ndihmën e BE u dërgon një mesazh emigrantëve në anën turke që të qëndrojnë larg, duke mbrojtur kufijtë, në pjesën jugore të lumit Evros që ndan të dy vendet.
“Qëllimi ynë kryesor është të parandalojmë hyrjen e migrantëve në mënyrë të paligjshme në vend. Për ta arritur këtë, përdorim pajisje të reja dhe moderne”, tha Majori i Policisë, Dimosthenis Kamargios.
Ndërsa policë të shumtë në numër patrullojnë vazhdimisht dhe punimet e gardhit me gjatësi 26 kilometra, vazhdojnë me ritme të shpejta në tri pjesë, dronët dhe kamerat termike me sensorë të shumtë në kullat e vëzhgimit , dërgojnë të dhënat dhe imazhe të drejtpërdrejta nga territori i palës turke në qendrën operacionale.
“Kemi një fqinj përballë që është gjithmonë agresiv. Nuk mund të bësh kurrë një kompromis me të. Ka vetëm një qëndrim agresiv dhe ne jemi gjithmonë në mbrojtje,ndaj duhet të bëjmë diçka për mbrojtjen tonë”, tha Athanasios Pemousis, kreu i komunës së Poros dhe Ferres.
Gardhi i ri prej çeliku është i ngjashëm me atë që po ndërtohet së fundmi në kufirin SHBA-Meksikë dhe bllokon pikat e kalimit të përdorura zakonisht përgjatë lumit.
Duke mos dashur të përsëritet kriza migratore e 2015 kur më shumë se 1 mln njerëz, shumica nga Siria, Iraku dhe Afganistani, hynë nëpërmjet Greqisë drejt vendeve të Evropës qendrore, si dhe përpjekja masive e më shumë se 10000 emigrantëve marsin e kaluar për të hyrë me forcë në Greqi, BE ka shpenzuar 3 miliardë euro për teknologjinë e sigurisë dhe rrjetin e mbikëqyrjes së automatizuar në kufirin tokësor Greko-Turk ,por edhe në disa shtete të Evropës lindore. /tch