Greqia ndalon festimet për Krishtlindje dhe Vitin e Ri

Qeveria greke ka vendosur të anulojë të gjitha planet për festime publike të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Ky vendim erdhi si pasojë e shpërndarjes së variantit të ri të COVID-19, Omicron, i cili shoi të gjitha shpresat që në fundvit, ky vend t’i kthehej normalitetit.

Një tjetër masë e marrë nga qeveria greke është edhe mbajtja e maskave që do të jetë e detyrueshme nga mëngjesi i së premtes.

Ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris, ka deklaruar se priten masa shtesë për Vitin e Ri, kryesisht në ngjarjet argëtuese dhe sportive, për të shmangur një tjetër bllokim.

“Ne po monitorojmë vazhdimisht rastet për të parë nëse pas variantit Delta ka një përhapje të Omicron”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp.

Më herët Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje njerëzve që të anulojnë disa nga ngjarjet festive për të mbrojtur shëndetin publik pasi varianti Omicron po përhapet globalisht. /koha