“Greqia largohet nga dialogu në Mesdheun Lindor”

Ambasadori i Turqisë në Londër, Ümit Yalçın deklaroi se Greqia është larguar nga dialogu në Mesdheun Lindor ndërsa Turqia mbështet iniciativat për dialog dhe është e gatshme për bisedime të sinqerta, transmeton Anadolu Agency (AA).

Yalçın ka shkruar një letër në përgjigje të opinionit të botuar më 6 shtator në gazetën “The Guardian” i cili pretendon se Konventa e OKB-së për të drejtën detare mbështet edhe Greqinë edhe ‘status quo’-në.

Në letrën e Yalçın që “The Guardian” e ka publikuar sot thuhet se pretendimi në shkrimin në fjalë nuk është i drejtë dhe bëhet vlerësimi “sepse e njëjta marrëveshje i referohet edhe parimit të barazisë”.

Turqia lidhur me kufizimin e zonës ekskluzive ekonomike që prej vitit 2003 e deri më tani u ka bërë thirrje palëve në fjalë që të marrin pjesë në bisedime, bazuar mbi parimin e barazisë dhe ligjit ndërkombëtar, por që Greqia asnjëherë nuk ka hyrë brenda një dialogu të sinqertë.

Yalçın tha se përpjekjet e fundit të Gjermanisë për rifillimin e bisedimeve janë sabotuar dy herë nga Greqia ku në fillim Athina nënshkroi një marrëveshje me Egjiptin dhe më pas refuzoi të bisedojë me Turqinë.

Po ashtu Greqia ka refuzuar edhe përpjekjet e fundit nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg për të rifilluar bisedimet teknike me qëllimin për të ngritur mekanizmat e parandalimit të konfliktit, tha Yalçın i cili shtoi se “Ndërkohë Turqia ka mbështetur këto iniciativa dhe është e gatshme të zhvillojë bisedime të sinqerta”.