Greqia apel BE-së: Nuk jemi gati për një tjetër valë emigracioni

Notis Mitarachi

Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të përballojë një krizë të re emigrantësh si ajo e vitit 2015 dhe duhet të parandalojë largimin e banorëve nga Afganistani i përfshirë nga konfliktet.

Ministri grek për Emigracionin, i cili javën e kaluar nënshkroi një marrëveshje me ministrat e 5 vendeve të tjera të BE-së që thoshte se riatdhesimi i azilkërkuesve të refuzuar duhet të vazhdojë, ka deklaruar se ndërprerja e dëbimit do të dërgonte mesazhin e gabuar.

“Ne e kuptojmë situatën e vështirë me të cilën përballet Afganistani dhe duhet që si BE të luajmë një rol më aktiv në parandalimin e krizës në këtë vend. Sidoqoftë, ndërprerja e riatdhesimit për ata që nuk kanë marrë leje qëndrimi do të dërgojë mesazhin e gabuar në Afganistan. Do të bëjë që shumë njerëz të përpiqen të vijnë në BE”, tha ministri grek per Emigracionin, Notis Mitarachi.
Sidoqoftë, uniteti i gjashtë vendeve që nënshkruan marrëveshjen u shkërmoq ditën e mërkurë, kur Gjermania dhe Holanda deklaruan se për momentin nuk do të kryejnë dëbime.

Nga ana e tij, ministri grek theksoi se BE duhet t’i ofrojë më shumë ndihmë Turqisë për t’u përballur me presionin e emigrantëve që vijnë nga Afganistani, duke nënvizuar se Unioni nuk mund t’i bëjë ballë përsëritjes së krizës së 6 viteve më parë.

Asokohe, Greqia ishte në vijën e parë të eksodit të rreth 1 milion njerëzve që nga Siria, Afganistani dhe Iraku zbarkuan në ishujt e saj. /euronews