Greqi, reshje të dendura shiu vërshojnë rrugët në ishullin Paros

Moti i keq që ka goditur Greqinë që nga e diela me reshje të dendura shiu në ishujt Cyclades ka shkaktuar dëme të konsiderueshme duke vërshuar rrugët, raporton Anadolu.

Autoritetet dhe popullata lokale në ishullin Paros, që është pjesë e grupit të ishujve Cyclades, po përpiqen të pastrojnë shtëpitë dhe të heqin baltën nga rrugët pas stuhisë dhe reshjeve të dendura të shiut që kanë lënë pas shumë dëme, si makina të dëmtuara, shtëpi dhe lokale të vërshuara.

Në ishullin Paros, ku rrugët u kthyen në lumenj, autoritetet lokale ndaluan udhëtimin në rrjetin rrugor pasi shiu shkaktoi edhe rrëshqitje dheu.

Në mënyrë të ngjashme, edhe në ishullin Mykonos autoritetet ndaluan lëvizjen e automjeteve.

Ishulli Syros, nga ana tjetër, ka përjetuar breshër të fortë që pasoi shiun, por pa dëme të mëdha.