Një intervistë e analistit amerikan, Edward Joseph, në të cilën flitej për synimet e treshes Thaçi-Vuçiq-Grenell, për shkëmbim të territoreve dhe ndarje të Kosovës, ka nxitur reagime të shumta. Kanë reaguar edhe vetë protagonistët e përmendur nga Joseph. Grenell deklarimet e Joseph i ka cilësuar si lajme të rreme, ndërkohë Thaçi si plane fiktive.
Megjithatë në rrjetin social në twitter ka pasur edhe të atillë që i kanë kërkuar Grenellit sqarime rreth gjërave që po diskutohen në prapaskena në Washington dhe Bruskel, duke nxitur përsëri reagimet e emisarit të Trump.
Në një reagim të dytë, Grenell ka thënë se Washingtoni është i fokusuar vetëm në zhvillimin ekonomik, temë që sipas tij është injoruar përgjatë negociatave Kosovë-Serbi, raporton Gazeta Express.
Tutje Përfaqësuesi Special Presidencial për dialogun ka thënë se SHBA’ja s’mund të ndihmojë derisa vetë taksa e vendosur nga qeveria e Kosovës vazhdon t’i shkaktojë dëme Kosovës.
Sipas tij tarifa duhet të hiqet fillimisht, duke shtuar se Washingtoni nuk i zgjidh çështjet politike për të cilat duhet të gjejnë rrugëdalje vetë Kosova dhe Serbia.
‘Washingtoni është i fokusuar në zhvillim ekonomik dhe punësim, ne besojmë se kjo është lënë anash në dialog. Por ne s’mund të ndihmojë kur tarifa e qeverisë së Kosovës vazhdon t’i shkaktoj dëm Kosovës. Ato duhet të hiqen fillimisht. Gjithashtu, çështjet politike duhet të zgjidhen nga dy palët, jo nga Washingtoni”, ka shkruar Grenell.