Gratë ose Lapsat që kanë gdhendur dashninë mes zemrave

Fjolla Spanca

Në horizontet e mendimit të tij, aspak të zakonshëm për vitet kur jetoi, Sami Frashëri çel dritare të reja botëkuptimi për ekzistencën e grave, duke shqyrtuar me shqetësim shpirtnor dhe kritikë të kulluar  peizazhin e errët shoqëror, ku femra ishte vetëm një “hijeshi” a “send” pa zë. Me penë të ndjeshme prej Shpirti të lartë, ai vizaton portretin e një realiteti ku gratë qëndronin në hije, si hapat e padëgjuar të çdo historie që mëton të harrohet a vyshket. Çdo fjalë e Samiut buron si protestë e qetë kundër sistemeve shekullore që i kishin mveshur grave veçse adete pa dinjitet e zakone përulëse.

Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Pranvera sa kish fillu me lulëzu mbi shehrin e zhurmave paqeruajtese. Asgjë nuk hynte në sy më shumë se takimi me gjithë dynjanë brenda pak orësh në një copëz të vetme Toke. Pra, dukej sikur aty – mu në atë ditë, kishin zbarkuar zemra nga çdo cep i këtij nënqielli dhe gjithësecili nxitonte në kërkim të vetës së heshtur. Stambolli, me gjithë piskamat, pluhurin e hallakatjen mbetet, ashtu me magji, një ai vend’ që i shkund harresat, inatet, xhelozitë, mëritë e, besa, edhe Dashnitë. Aty ka përherë pak vend për t’u derdhur lotët e përvlueshëm, si të gzimit, po aq edhe të mallit. Madje, ngado hedh shikimin mbi Stamboll, të kujtohet diçka a dikush; vetja dhe askush; sa këndej sa Andej; pa dyshime, me siguri, pa frikë me shumë çudi!

Në përpjekje për t’ia lexu damarin tjetër këtij shehri, ndonjëherë zevzek, ne i marrim me këmbë zbathur të gjitha përpjetëzat dredhnore. Pastaj, përhumbemi mallëngjyeshëm nga rrëfimet qiellore të Shasivar Kabashit, historianit erudit që çonte ditënetët e jetës studentore në biblotekat e pafundme të kryeshehrit perandorak. Të premten, teksa po lëviznim nga nji mëhallë në tjetrën, Shasivari po na rrëfente për Shemsedin Samiun apo Sami Frashërin, siç rëndom njihet ndër shqiptarë. Mbasi folëm gjerë e gjatë për figurën qendrore të Rilindjes Kombëtare, besa edhe ideologun e nacionalizmit shqiptar, adeti e donte me u ul diku, për një bardak çaj, pa sheqer, pelin. Nën tingujt e dallgëve të paqta, që përplaseshin n’breg të Uskudarit, Shasivari po i kallëzonte hiret e poliglotit Sami, ndërkaq rreth muzgut fjalët ranë mbi Mirahorët korçarë ose konakun ku pat çelë gjithë mirësi Emine Mirahori ose vajza që do ta puqte jetën me Samiun e Frashërlinjve, alimin e madh të Stambollit (dhe jo vetëm).

Dashnia që u ngjiz në loçkën e Shemsedinit për Eminenë e açikuar shënjohet prej yjzish që me nur kishin për t’i thurur kurorat e të rinjve. Emineja ishte mu ajo muza, për të cilën Samiu shkruante pa e njohur akoma në broshurën e famshme dhe të jashtëzakonshme “Gratë”. Aty, në atë dekik, u shkrumbova nga kërshëria për t’i njohur “Gratë” e Samiut të Madh! Kush ishin ato? Cilat ishin ato? Pse ishin pikërisht ato?

“Gratë”

Sami beu e çel siparin e “një broshure ndryshe”, në mos të parës për nga lloji i përveçëm, duke e përmendur Gruan si edukuese dhe formësuese të shoqërisë – pozicion ky që asaj ia shton shumëfish rëndësinë dhe peshën brenda gjinisë njerëzore. I vetëdijshëm për gjendjen e mjerë ku qenë harruar gratë, Samiu ngulmon për të notuar rrotull ujnave të pafundmë të laramanisë frymore; si e si për ta theksuar se gratë, ani që të brishta dhe pak më pak të mundura nga ana trupore, ato gjithsesi kanë mendje të mprehtë, e madje edhe më të shpejtë sesa burrat.

Shemsedini e sheh gruan si themelin moral dhe civilizues të shoqërisë njerëzore. Ai thekson se gruaja, përmes virtyteve dhe cilësive të saj fisnike, ka fuqinë ta transformojë sjelljen njerëzore, duke e shkëputur atë nga gjendja primitive dhe egërsia. Frashëri e konsideron gruan si forcën kryesore, përmirësuese dhe zbutuese, e cila nëpërmjet hirësisë dhe moralit të saj e udhëheq njerëzimin drejt qytetërimit. Në kontekstin historik dhe kulturor të kohës, ky paragraf pasqyron një vizion tejet përparimtar, të rrallë dhe, mbi të gjitha, tejet respektues ndaj rolit të gruas, duke e paraqitur atë jo thjesht si pjesë pasive të shoqërisë, por si agjent aktiv transformimi dhe përparimi.

Në veprën “Gratë” Sami Frashëri shpalos një analizë të thellë dhe mjaft përparimtare për pozicionin dhe rolin e grave në shoqëri, duke ofruar një perspektivë intelektuale dhe sociologjike të jashtëzakonshme për kohën e tij. Përmes një gjuhe elegante dhe analitike, Shemsedin Samiu zhvillon një diskurs kompleks që e kapërcen përshkrimin klasik të gjendjes së grave, duke u thelluar në kuptueshmërinë dhe interpretimin e saj nga këndvështrime të ndryshme. Ai, me mprehtësi intelektuale, e shtjellon kritikën ndaj sistemit ekzistues, por duke reflektuar thelbësisht edhe mbi faktorët shoqërorë që kontribojnë në pabarazinë gjinore.

Frashëri, me ndjeshmëri të rrallë, vë në pah faktin historik se burrat, përgjatë shekujve, kanë ushtruar forma të dhunës dhe barbarizmave të tjera kundër grave. Megjithatë, ai nuk mbetet vetëm në akuzë, por zhvillon një analizë shumështresore, duke pranuar edhe ekzistencën e të ashtuquajturave “gra zvetënuese”, që mund të kenë shkaktuar probleme ose “ngatërresa” shoqërore ndër mote.

Revolucionariteti i mendimit të Shemsedin beut qëndron pikërisht në refuzimin e përgjithësimeve dhe gjykimeve absolute. Ai thekson me forcë se nuk mund të dënohen të gjitha gratë për gabimet e disa grave, ashtu siç nuk mund të gjykohen as të gjithë burrat për veprimet e dhunshme të disa burrave të tjerë.

“Fajet që bëhen në këtë botë, të metat, grindjet e kusuret e tjera – të gjitha e kanë burimin pikësëpari e kryesisht te mungesa e diturisë dhe arsimit. Po ashtu edhe fajet e kusuret që vërejmë të gratë, nuk vijnë veçse nga mungesa e edukimit të tyre.”

Elementi qendror në veprën e Samiut mbetet dhimbja e thellë intelektuale për prapambetjen arsimore dhe intelektuale të grave. Samiu e sheh arsimimin si çelësin kryesor për çlirimin dhe përparimin shoqëror, duke promovuar kështu ide mjaft përparimtare për kontekstin historik ku jetoi.

“Gruaja në çdo moshë, në çdo kohë e në çdo rast nevoje kurdoherë është një strehë për njeriun, ajo është lidhësja që bashkon pjesëtarët e shoqërisë njerëzore… Atëherë, pra, gruaja nuk është krijuar vetëm për të lindur njerëz, për t’i rritur e për t’u shërbyer atyre… meriton për t’u adhuruar e për t’u dashuruar nga meshkujt dhe atëhere kuptohet se ajo është krijuar për lumturinë e fatbardhësinë e njerëzisë.”

Nëpërmjet një stili letrar që kombinon kritikën sociologjike me reflektimet filozofike, ai krijon një portret kompleks dhe human të pozicionit të grave, duke i parë ato jo si “objekte pasive”, por si qenie me potencial të plotë intelektual dhe shoqëror.

“Virtyti i dhimbsurisë amtare”

Ka diçka thuaja dehëse në përshkrimin e imtësishëm që i mveshet figurës a misionit të amësisë tek “Gratë” e Sami Frashërit. Kapërcimi i fazave të frymimit mbi Tokë, i përkthyer në përndjesinë e secilës etapë jete, i vë në pah gratë si djepin ku brumoset jeta; djepi ku përkunden shekujtë, shoqëritë, andrrat e dëshirat e njerëzisë. Gratë, në këtë frymë-përshkim djellnor, nuk rrëzohen nga froni hënor i të dhënurit dhe të marrurit; dashuri, mëshirë, dhembshuri e përnderim.

Teksa motet derdhen dhe palët e rrudhave u shtohen në ballin qelibar, grave veçse u lartësohet qenia në prani të atyre që i shohin e kundrojnë ato si kroje urtnie e diturie.

“Fatbardhësia e shoqërisë njerëzore”

“Megjithëkëtë po e përsërisim, familje do të thotë grua. Shoqëria njerëzore përbëhet prej familjeve. Lumturia e shoqërisë është familja, e lumturia e kësaj varet nga edukata e grave: “edukata e grave sjell lumturinë e shoqërisë njerëzore”. Pra, fatbardhësia e shoqërisë njerëzore është e lidhur me edukatën e grave”.

Mund të themi pa mëdyshje se në përsiatjen e Samiut familja zë vënd qendror – dhe jo thjesht si qeliza bazë shoqërore, por si një organizëm i gjallë dhe dinamik me funksione shumëdimensionale. Përmes vizionit të tij, familja paraqitet si hapësira themelore ku ndërtohen vlerat morale, zhvillohen marrëdhëniet njerëzore dhe përgatitet terreni për përparimin shoqëror dhe lumturinë individuale.

Brenda strukturës familjare, gruaja për Samiun nuk përcaktohet thjesht si “anëtare pasive”, por si figura qendrore me ndikim vendimtar. Ajo konceptohet si një qenie me fuqi të brendshme transformuese, e aftë të ushtrojë ndikim të gjerë jo vetëm brenda mureve të konakut, por edhe në dinamikat e përgjithshme shoqërore.

“Çdo grua, veçanërisht për të kryer mirë detyrat e saj, duhet të dijë këndim, shkrim, matematikë, mbajtjen e llogarive, ekonomi, politikë, higjienë, fizikë, kimi e të tjera shkenca, kurse për të mos cenuar bukurinë e brishtë, për të shpëtuar nga gabimet që mund t’i rrëshqasin në raste bisedash, ka nevojë të ketë njohuri edhe nga letërsia, gjeografia, historia, etj.”

Në këtë vizion, familja shndërrohet nga struktura strikte në një qendër dinamike ku gratë janë motorët kryesorë të transformimit. Ato nuk janë thjesht ruajtëse tradicionale të familjes ngase me diturinë, edukatën, moralin e urtësinë e tyre ndërtojnë e meremetojnë jo vetëm brezat e ardhshëm por edhe historinë e shoqërisë madje gëzojnë nderin dhe vlerësimin e duhur.

Të zvetnohesh duke u izoluar

Për Samiun, gratë nuk duhet të mjaftohen vetëm me nxënien e diturisë. Pra, ato duhet të kenë mundësinë dhe hapësirën për të gëzuar zanate e profesione, përmes të cilave realizojnë shpirtërisht vetveten dhe, madje, falin edhe për të tjerët nga dhuntitë që u janë besuar atyre si/në amanet. Të qëndruarit mbyllur në shtëpi ose izolimi brenda katër muresh, Frashëri thotë se, grave u shkakton dobësi trupore e sëmundje të pashërueshme, kurse mërzitja dhe brengat lënë pas veç tuberkulozin e vdekjen e grave.

“Njeriu ka nevojë të ndriçohet me mesimë që i pasurojnë kujtesën, i pastrojnë dhe i zbusin zemrën, i përmirësojnë moralin. Këto cilësi lipset të jenë në dorën edukuese të grave… fëmija mësimët e para do t’i marrë nga nëna, duke luajtur e duke u argëtuar brenda në familje, mësimet e dyta duhet t’i marrë në shkollën foshnjore nga një mësuese …”  

Rrjedhimisht, Samiu shkruan se është posaçërisht e rëndësishme që edukata t’u jipet si burrave, ashtu edhe grave, ngaqë duke u përqendruar vetëm tek gjinia mashkullore, zinxhiri i transmetimit të dijes këputet në momentin kur ata ndërrojnë jetë, kurse në rast se kjo dije kalohet edhe tek gratë, atëherë ato dinë se si ta transmetojnë urtninë ndër breza e ndër gjini.

“Një popull që orvatet të rrisë e të edukojë vetëm meshkujt, i përngjet atij, i cili ngre një urë pa themel mbi rërë, e një ditë kur të bjerë shi, e sheh se ura rrënohet, mandej detyrohet përsëri ta rindërtojë. Themeli edukativ i një shoqërie varet nga edukata e grave”

Gratë ndër mote

Në horizontet e mendimit të tij, aspak të zakonshëm për vitet kur jetoi, Sami Frashëri çel dritare të reja botëkuptimi për ekzistencën e grave, duke shqyrtuar me shqetësim shpirtnor dhe kritikë të kulluar  peizazhin e errët shoqëror, ku femra ishte vetëm një “hijeshi” a “send” pa zë. Me penë të ndjeshme prej Shpirti të lartë, ai vizaton portretin e një realiteti ku gratë qëndronin në hije, si hapat e padëgjuar të çdo historie që mëton të harrohet a vyshket. Çdo fjalë e Samiut buron si protestë e qetë kundër sistemeve shekullore që i kishin mveshur grave veçse adete pa dinjitet e zakone përulëse.

Frashëri zbërthen me kujdes traditat shoqërore e kulturore që gratë i reduktonin në objekte pa vullnet, pa dëshira e pa ëndërra. Madje, me mprehtësi të veçantë, Samiu përpiqet t’i ndajë edhe praktikat kulturore që i kishin veshur besimit petkun e shtypjes. Veçmas në kontekstin e shoqërive myslimane, Samiu bën një dallim të rëndësishëm midis praktikave kulturore dhe parimeve themelore fetare. Ai thekson se shumë kufizime tradicionale janë krijime njerëzore që nuk kanë lidhje me frymën e vërtetë të besimit. Ndonjëherë ngjan sikur qasja e tij synon t’i dekonstruktojë narrativat diskriminuese, duke ofruar një lexim kritik të rolit gjinor, besimit, traditës, edukimit dhe të ardhmes, biles duke promovuar respektin, barazinë, dinjitetin, diturinë dhe mundësitë e përbotshme dhe të përtejshme, përtej dallimeve gjinore.

Vepra “Gratë” shfaqet kështu jo thjesht si një tekst teorik, por si një manifestim intelektual mbi rëndësinë e pamatë të grave. Në mos e vetmja, ajo mbetet si direku i një anije që nuk fundoset vetëm sepse kapiteni nuk përgjumët as pranon ta lëshojë “fronin” në duar të trazuara. “Gratë” e Shemsedin Samiut janë momentum që rilindin vetëdijen kombëtare mbi potencialin shoqëror dhe mundësitë njerëzore e shpirtnore.

Sot, kur zallamahia e pseudo-luftonjësve për të drejtat e grave e ka përmbyur piramidën e vlerave, më shumë se kurrë ndjehet nevoja për ta riaktualizuar, rilexuar, rivlerësuar pikëpamjen shemsediniane’ si Za të Naltë që therrët denjësisht Njeriun të mos kalamendet në harresë e padrejtësi.

Në kujtim, të grave krahnornur’ që e ndryshuan Njeriun me zemrën, mendjen dhe Frymimin e tyre, të lehtë sa yjzit. Në kujtim të grave që jetuan me Besatimin e Fillimit; kandil përpjekjesh deri në dekikun e kthimit. Në kujtim të grave që jetuan pa u njohur me veten dhe u larguan pa e dashtë kurrë jetën.

Në kujtim të Shemsedin Samiut, Shpirtit të Fisëm që nuk reshti kurrë së dashuruari Fjalën, Urtninë e Dashninë. Dhe, në kujtim të drithnimës për Eminenë, që Shemsedini e ruajti gjersa mbylli sytë.