Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gratë në Gaza përballen me vështirësi ekstreme pas luftës

Gratë në Gaza përballen me vështirësi ekstreme pas luftës

Gratë në Gaza po përjetojnë vështirësi të jashtëzakonshme pas luftës së Izraelit, duke humbur bashkëshortët, shtëpitë dhe aksesin në shërbimet bazë, raportojnë autoritetet palestineze dhe agjencitë e OKB-së, përcjell Aljazeera.

Sipas Byrosë Qendrore Palestinëze të Statistikave (PCBS), rreth 13,900 gra janë bërë të veja, duke u bërë përgjegjëse të vetme për familjet e tyre pas humbjes së kryefamiljarëve.

“Nënat në Rripin e Gazës jetojnë mes maktheve të përditshme dhe depresionit të thellë,” tha PCBS, duke shtuar se ato luftojnë për të siguruar ushqim, ujë dhe kujdes shëndetësor për fëmijët e plagosur, ndërsa sistemi shëndetësor i Gazës është në kolaps.

Ndërkohë, Fondi i Popullsisë i OKB-së (UNFPA) raportoi se mbi 500,000 gra nuk kanë qasje të mjaftueshme në planifikimin familjar, trajtimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe kujdesin pas lindjes.

Pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar kushtet higjienike, të paktën 690,000 gra dhe vajza nuk kanë akses të qëndrueshëm në produkte bazë higjienike, si dhe vuajnë mungesën e privatësisë, ujit të pastër dhe kushteve të sigurta sanitare. /mesazhi

Exit mobile version