Ballina Artikuj Gratë e hekurta

Gratë e hekurta

Gra të hekurta dhe zonja, janë ato që u lavdëruan në Kur’anin fisnik:
“Besimtarët dhe besimtaret janë miq të njëri-tjetrit. Urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë që do t’i mëshirojë Allahu. Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë”.
Gratë e forta e shohin veten si partnere krah për krah me burrat e tyre, me besim në vetvete dhe të dobishme për veten dhe rrethin e tyre;
Gratë zonja nuk e shohin veten në konkurrencë të vazhdueshme me burrat e tyre;
Nuk janë në luftë të përhershme me botën, universin dhe dëshiren për t’i zëvendësuar burrat;
Nuk janë sipërfaqësore, dhe nuk drejtohen nga komercializmi, dëshira për të blerë, moda, media dhe interneti.
Gratë e hekurta janë inteligjente, të sigurta në vetvete, të gatshme të ballafaqohen me fatkeqësit dhe vështirësitë e jetës;
Nuk tronditen nga asnjë fjalë, apo përvojë e dhimbshme që kanë kaluar, përkundrazi, përvojat i bëjnë ato më të forta.

Gratë e hekurta e dinë se kanë anët e forcës dhe dobësisë, si të gjitha qeniet njerëzore.
Udhëheqja dhe lidershipi është e drejtë e tyre në çdo fushë ku mund të punojnë, sepse ky është vendi i tyre natyror që ato meritojnë, me përpjekjen, punën dhe aftësitë e tyre.
Gratë zoja nuk janë servile, as fëmijë rebel, po as papagall qe imitojnë pa kuptuar gjë.
Gratë e forta përdorin inteligjencën dhe punën e tyre për të krijuar një vend meritor për veten e tyre në këtë botë, një pozitë që u sjell atyre lumturi dhe kënaqësi në jetën e tyre familjare, shkencore, praktike dhe shoqërore.
Gratë zoja kanë vetëbesim, i përmbahet fesë dhe besimit të tyre, kontrollojnë vetveten dhe humbjet eventuale i kthejnë në fitore.
Gratë e hekurta, qe po i kërkojmë ne, nuk importohen nga Lindja a Perëndimi, ato janë në mesin dhe gjirin e shoqërisë tonë!! Ato i shohim çdo ditë në fshatra e qytetet tona duke punuar me sinqeritet, duke dhënë mendimet e tyre, duke provuar se mendimi i tyre është më i saktë, bazuar ne mençurinë, përvojën, dhe inteligjencën e tyre!
Këto gra i shohim në biografinë e zonjave shqiptare, si Shote Galica e nëna Qamile.
Këto zonja i shohim në xhami, shoqata dhe forume të ndryshme. Aty organizojnë, planifikojnë, rregullojnë, marrin vendime, dhe mbrojnë atë në të cilën ato besojnë.
Këto zonja i shohim në tregje, biznese, kompani të ndryshme, universitete dhe shkolla.
Gratë e forta nuk e marrin modelin e tyre nga serialet, prototipet mediatike, politika dhe shoqatat feministe, por nga vetëvlerësimi i tyre dhe respekti i të tjerëve për arritjet e tyre në jetën publike dhe familajre!
Pra, na duhen gra të forta, siç na duhen burra të fortë, e të dobtit duhet t’i forcojmë, burra qofshin apo gra.
Një besimtare e fortë është më e mirë dhe më e dashur për Zotin sesa një besimtare e dobët.
Një grua e fortë është tamam si një burrë i fortë, partnerë në formësimin e fatit të familjes dhe kombit tonë.
Halil Avdulli

Exit mobile version