Kryetar i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës, Ahmet Grajqevci, ka thënë se çështja e personave të zhdukur asnjëherë nuk është trajtuar dinjitetshëm.
Ai ka kërkuar që termi “të zhdukur me dhunë” të qëndrojë në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nga mbarimi i luftës asnjëherë nuk është trajtuar çështja e personave të zhdukur dinjitetshëm, sepse e dimë se më kë kemi punë. Mua nuk më jetë shumë hatri nga ta që e dinë ku i kanë fshehur varrezat masive, ku i kanë të gjallët, unë them të gjallët se të gjallë i kanë marr dhe ne e dimë rrugëtimin e tyre, por nuk e dimë përfundimin e tyre dhe këtë e di vetëm Serbia që i ka futë në territorin e saj”.
Duke folur për termin “të zhdukur me dhunë”, ai tha se nëse nuk përdoret si i tillë, mund të interpretohet si të zhdukur nga tërmeti, zjarri apo diçka tjetër.
Grajqevci ka frikë se po të hiqet termi “të zhdukur me dhunë” nga marrëveshja, personat që u zhdukën gjatë luftës mund të cilësohen edhe si të zhdukur nga shkaqe natyrore e jo nga forcat serbe.
“Absolut kjo nuk guxon që të largohet sepse ndryshe si do ta quajmë, nëse e quan të zhdukur mund të jenë të zhdukur nga uji, nga tërmeti, zjarreve apo diçka tjetër, por kjo dihet që Serbia çdo gjë që e ka kryer për të zhdukurit me dhunë e ka kryer në mënyrë komanduese dhe administrative edhe kjo nuk ka tjetër term përveç këtij termi”, tha ai për Ekonomia Online.
Ai shprehet bindur se Serbia nuk do të tregojë se ku janë varrezat masive, duke kërkuar kështu nga bashkësia ndërkombëtare që të veproj.
“Është arritur një marrëveshje e mirë sepse pala kosovare e ka futur më në fund kërkesën tonë që personat e zhdukur të trajtohen, personat e zhdukur me dhunë nga forcat policore ushtarake serbe. Është një term që kështu është dashtë të quhet nga fillimi por marrëveshjet që i kanë bërë me Serbinë unë jam skeptik që Serbia do t’i realizoj, sado që të bënë trysni pala kosovare, pa një trysni të madhe të bashkësisë ndërkombëtare unë besoj që Serbia as nuk do t’i tregoj varrezat masive as nuk do t’i kthej të zhdukurit qoftë tonët, qoftë Bosnjës apo të Kroacisë”, tha ai.