Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas grabitjes së armatosur që ka ndodhur në Prishtinë, ku gjatë grabitjes është plagosur një polic.
Zyra e kryeministrit thotë se Hoti dënon sulmin me armë zjarri ndaj zyrtarit policor gjatë kryerjes së detyrës, parandalimit të kryerjes së vjedhjes, në njërën prej qendrave tregtare në kryeqytet, transmeton Telegrafi.
“Kryeministri Hoti, zyrtarit policor i dëshiron shërim sa më të shpejtë, ndërkohë që thekson se integritetit fizik i policit është i pacenueshëm, ndërsa sulmet ndaj zyrtarëve policor janë të pa pranueshme. Hoti shpreh mbështetje të parezervë dhe mirënjohje për punën e Policisë së Kosovës, Institucionit më të besuar në vend për zbatimin e rendit dhe ligjit”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, grabitja e armatosur ka ndodhur rreth orës 05:30 në një nga qendrat tregtare në lagjen “Veternik” në Prishtinë, ndërsa për t’iu shmangur kapjes nga policia të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor dhe për pasojë kanë plagosur një zyrtar policor.
QKUK ka njoftuar polici ka marrë trajtimin e duhur mjekësor dhe është liruar për në shtëpi.