Organizata e Konsumatorëve Evropianë (BEUC), akuzon kompaninë Google për shkelje të ligjeve përmes praktikave të saj mashtruese për të gjetur vendndodhjen e përdoruesit, raporton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në një punë kërkimore të bërë nga anëtari i kësaj organizate, Forbrukerrådet nga Norvegjia, rezultatet e së cilës BEUC i publikoi sot, shtatë organizata konsumatore, tashmë kanë përpiluar një padi kundër Google, në bazë të ligjit evropian “Regullativa e Mbrojtjes së Përgjithshme të të Dhënave (GDPR)”.
“Të dhënat e vendndodhjes mund të zbulojnë shumë për njerëzit, përfshirë besimin fetar (kur shkon në vendet e adhurimit), prirjet politike (shkuarja në demonstrata), kushtet shëndetësore (vizitat e rregullta në spitale) dhe orientimi seksual (vizitat e bareve të caktuara)”, thuhet në reagimin e BEUC-së.
Raporti, thuhet në reagimin e organizatës së konsumatorëve evropianë flet se Google përdor truke dhe praktika të ndryshme, në mënyrë që të sigurojë që përdoruesit të aktivizojnë këto ndjekje, por pa u sqaruar atyre se çfarë në fakt nënkupton kjo.
“Këto praktika nuk janë në përputhje me GDPR-in, pasi Google nuk posedon një bazë ligjore për të procesuar të dhënat në fjalë. Në veçanti, raporti flet se këto pëlqime të konsumatorëve nën këto rrethana, nuk janë dhënë me vullnet të lirë”, thuhet në reagim.