Nga Kim Mehmeti
Mediat raportojnë për dhjetra autobusët, që çdo fundjavë, edhe atë vetëm nga Tetova, të mbushur përplot me të rinj, nisen drejt Gjermanisë. Dhe kështu, ëndrrat rinore shpërndahen nëpër metropolet e Perëndimit dhe në Maqedoni mbeten vetëm aktivistët e BDI të cilët e kanë filluar fushatën për zgjedhjet vendore dhe rrëfejnë për rezultatet e arritur gjatë dy dekadave vasalitet ndaj partive maqedonase.
Dhe kështu pra, në Maqedoni ndodhë diçka perverse: të rinjtë shqiptarë i dëbon nga vendlindja politika e të zgjedhurve të prindërve të tyre. Pra ndodh që prindërit të votojnë për ata që ua dëbojnë fëmijët, për ata që Maqedoninë e bënë vend ku realizohen vetëm ëndrrat e të dëgjueshmëve partiak, vetëm ëndrrat e familjarëve të drejtuesve të BDI-së si dhe, ëndrrat e ‘opozitarëve’ që i BESAtohen çdokujt që u siguron pak pushtet,.
Andaj shqiptarëve të Maqedonisë më së shumti u shkon për shtati rrëfimin për dhelprën që ikë nga pylli, ku luani ka vendosur t’i vret të gjithë ujqit dhe e cila, kur i thonë të mos ikë, sepse është dhelpër e jo ujk, është përgjigjur: nuk jam duke ikur nga luani, por nga gomari, të cilin ai e ka shpallur përgjegjës të pyllit dhe përpilues të listës së ujqve!
U përshtatet ky rrëfim sepse edhe nëse i pyet të rinjtë shqiptarë të Maqedonisë pse e braktisin vendlindjen, edhe ata do u jepnin përgjigje të ngjashme: se nuk janë duke i ikur gjithaq varfërisë, por ‘gomarizimit’ të politikave shqiptare!