…Dhe pushtetarët e socializmit ia dilnin të sundonin edhe mbi ne, por jo edhe mbi ëndrrat tona. Madje ata shëtisnin me makina, por megjithatë, ne, fëmijëve të atëhershëm, më shumë na joshte gomari i Shaban jevgut sesa xhipet e tyre. Jevgu dhe gomari i tij simbolizonin shpejtësinë me të cilën ecte koha, ndërkaq makinat e pushtetarëve, ngutjen e regjimit të asokohshëm komunistë që ta ‘vriste’ Zotin e të mposhtte çdo gjë njerëzore në ne. Gomari ishte i ngarkuar me tërë ‘orenditë’ shtëpiake të jevgut që banonte aty ku e zinte nata, ndërsa xhipet e pushtetarëve i lëvizte varfëria jonë. Dhe përderisa Shaban jevgun askush nuk e ftonte të ulet në sofër e strehohet kur binte shi, pushtetarët hynin kudo ku e ndjenin erën e pulës së pjekun.
Po pra, asgjë më mirë se gomari i jevgut dhe makinat e pushtetarëve komunistë të viteve gjashtëdhjeta të shekullit XX nuk shpjegonte ç’ndodhte me ne që jetonim në mes të këtyre dy skajshmërive – me ne që kishim sofër ku shtronim varfërinë tone, me ne që nuk kishim çka u jepnim skamnorëve ngaqë pjesën e gojës sonë e merrnin pushtetarët.
Gjatë fëmijërisë sime, nuk ishin dallëndyshet ato që paralajmëronin ardhjen e pranverës, por ardhja e jevgut me gomarin e tij shënonin fillimin e netëve të ngrohta kur mund të shtriheshim pranë lumit. Dhe ai vinte posa nisnin të gjelbëroheshin livadhet. Shkarkonte ‘shtëpinë’ e vet nga samari i gomarit dhe e ngrinte çadrën e vet te oborri i xhamisë apo aty pranë lumit. Nga njëra anë e samarit rëndonin thasët me shtresat e fjetjes e nga ana tjetër një arkë prej druri e mbushur me pajisjet për gatim. Nuk mungonin as batanijet e leckosura, copërat e qilimave, pjesët e çadrës dhe një sobë e vogël mbi të cilën ai gatuante mjerimin e vet.
Ndërkohë erdhi dita kur gomari i jevgut kulloste i vetëm mbi fshat. Më kot prisnim të vinte pronari i tij, por ai nuk u duk askund. Posa u përhap lajmi se e kanë gjetur jevgun te vdekur buzë lumit, u zhduk gomari i tij. Askush nuk e dinte se kush e mori dhe kush i trashëgoi plaçkat e jevgut. Askush nuk e mori vesh çka thanë mes veti policët që erdhën, e fotografuan të ndjerin dhe u kthyen në qytet pa u interesuar fare për gomarin e zhdukur. Ata shkuan, por nuk morën me vete edhe shpresat e fshatarëve se do të gjenin arkën e jevgut të mbushur përplot me lirat me të cilat, siç thuhej, e kishte paguar policia për informatat që ua ofronte lidhur me ndodhitë në fshatin tonë. Dhe pas vdekjes së jevgut, në një farë mënyre, përnjëherë e kuptuam pse punët na shkonin ‘maxhupçe’ dhe grindeshim mes veti sikur të ishim duke e ndarë lumin. Pra, pasi mbetëm pa jevgun jo vetëm që ngatërronim fillimet e pranverës, por edhe pushtetarët gjithnjë e më rrallë i thërrisnin fshatarët në biseda informative. Thjesht, pranverat nisën të vinin me ardhjen e dallëndysheve, ndërkaq policia e shtetit mbeti pa ndodhitë të cilat kur mungonin, i trillonte jevgu.
Më në fund shumëçka lidhur me ne dhe fshatin tonë qëndronte mes së vërtetës dhe së trilluarës. Nuk trillonte vetëm jevgu ngjarje gënjeshtare dhe rreziqe kundër shtetit, por edhe shumë nga ata që mbaheshin për të gjithëdijshëm dhe që i shisnin mend botës, të vërtetat për ne e për të tjerët i kishin mësuar nga çiftelitë me dy tela dhe nga rrëfimet e të parëve të fshatit që u jargaviteshin pushtetarëve të atëhershëm.
Në të vërtetë edhe sot ne harrojmë se të vërtetat historike janë brumë i përshtatshëm për veprat artistike, por faktet, e jo veprat artistike, janë lënda e parë e historisë. Andaj shumica prej nesh e njohim ‘historinë e imagjinuar’ për vetveten e për të tjetër, por jo atë të mbështetur në fakte. Ai që nuk njeh të vërtetat për të shkuarën e vet, nuk mund të përballet as me të sotmen e tij, andaj dhe të tashmen e jeton të ‘imagjinuar’, të atillë siç ia shpërfaqin drejtuesit e spektakleve politike.
Pra edhe sot, të verbëruar nga vetëgënjimi i dyfishtë, na ndodh të mos e shohim, të mos na pengojë, për shembull, rritja e numrit të të diplomuarve të paditur dhe e patriotëve që shesin shqiptarinë, pra na ndodh që të mos kemi guxim t’i luftojmë ata që kriminalizuan të sotmen e ‘Shqipërive’ tona, por të jemi trima të epur në betejat kundër perandorive të vdekura dhe atyre që na ‘lanë’ të prapambetur.
Edhe sot na ndodh të mos e kuptojmë se drejt të vërtetave ecet si nëpër mjegullën e dyshimeve të mëdha, nëpër mjegullnajën ku para se t’i shohësh të tjerët duhet ta qartësosh vetveten si parakusht që ta kuptosh se njeriu matet në tri peshore: në atë të përfitimit vetjak, të shqiptarisë dhe të Zotit. Me çka edhe do ta kuptosh se për çdonjërin nga ne arrin një mëngjes kur në vend të buzëqeshjes së pritur me mall, të vjen lajmi rrëqethës se kurrë më nuk do t’i kesh pranë vetes ata që i japin kuptim jetës tënde…
Nga: Kim Mehmeti
Copëz nga libri “Nga albumi I fotografive të largëta”, SH.B. ‘Logos-A’, Shkup