Kur shohim mënyrën sesi Perëndimi dhe Shteti Sionist – si një zgjatim kolonial i tij – sillen me Botën Islame dhe atë Arabe në veçanti (që përbën zemrën e Islamit), na vjen ndërmend fjala e Noam Chomsky-it, i cili thotë se, për t’i mbajtur njerëzit të sunduar, mjafton të shpikësh një armik imagjinar më të keq se vetja dhe pastaj të jesh ti, ai që i “shpëton” prej tij.
Kështu, Izraeli shfaqet në diskursin perëndimor politik si “good boy” që, si një xhandar i Perëndimit, mbron vlerat e tij nga gogoli i “rrezikut islamik”. Në të njëjtën kohë, frika dhe përçarja që ai mbjell në rajon, mundëson shfrytëzimin e lirë të burimeve natyrore dhe të energjisë që vijnë nga këto vende.
Diktatorët arabë që sundojnë këto vende, përmbushin më së miri të njëjtën linjë logjike në raport me popujt e tyre. Ata i shtypin dhe i varfërojnë ata për interes të pushtetit personal dhe të atyre që i trembin dhe tremben nga gogoli i “rrezikut islamik”.
“Rreziku islamik” është, pra, armiku i përbashkët i Perëndimit, Izraelit dhe diktatorëve arabë, por edhe i ish-Lindjes komuniste. Kjo, sepse ai cenon vlerat e shekullarizmit, rrezikon pushtetin e diktatorëve dhe u jep mundësi popujve arabë (muslimanë) të pavarësohen nga hegjemonia e huaj dhe e brendshme.
Hoxhë Justinian Topulli