Utsulët e ishullit Hainan dikur nderoheshin nga qeveria për lidhjet e tyre me botën Islame. Jo më.
Ezani ende jehon nëpër rrugicat e lagjes muslimane gati 1000 vjeçare të Sanya-s, ku minaret me majë të gjysmëhënës ngrihen mbi çatitë. Goditja e qeverisë ndaj komunitetit të vogël, të devotshëm në këtë qytet jugor të Kinës ka qenë dinake.
Shenjat në dyqane dhe shtëpi që shënonin “Allahu akbar” – “Zoti është më i madhi” në arabisht – janë mbuluar me afishe të gjera për të promovuar “Ëndrrën Kineze”, një slogan zyrtar nacionalist. Karakteret kineze për hallall, që do të thotë e lejueshme në Islam, janë hequr nga tabelat dhe menytë e restoranteve. Autoritetet kanë mbyllur dy shkolla islame dhe janë përpjekur të ndalojnë studentet që të mbajnë mbulesën në kokë.
Utsulët, një komunitet me jo më shumë se 10,000 muslimanë në Sanya, janë ndër të fundit që shfaqen si shënjestra të fushatës së Partisë Komuniste Kineze kundër ndikimit të huaj dhe feve. Problemet e tyre tregojnë se si Pekini po punon për të shkatërruar identitetin fetar edhe të pakicave të tij më të vogla muslimane, në një përpjekje për një kulturë të unifikuar kineze me shumicën etnike Han në thelb të saj.
Qeveria kineze ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ajo është kundër Islamit. Por nën Xi Jinping, udhëheqësi i saj i lartë, partia ka shkatërruar xhami, faltore të lashta, kupola dhe minare islame në Kinën veriperëndimore dhe qendrore. Goditja e tij është përqendruar shumë tek Ujgurët, një pakicë muslimane e Azisë Qendrore prej 11 milionësh në Xinjiang, shumë prej të cilëve janë mbajtur në kampe masive paraburgimi dhe janë detyruar të heqin dorë nga Islami.
Tanimë, qeveria e sheh asimilimin e pakicave të ndryshme etnike të Kinës si çelësin për ndërtimin e një kombi më të fortë Kinez dhe, Ujgurët dhe Utsulët musliman janë në një bashkëjetesë të vështirë me autoritetet. /Mesazhi.com/NYT