Globalizmi i solidaritetit

Ballafaqimi me pandeminë kërkon disa gjëra nga ne. Në fakt, çështja është: sa jemi të hapur për të mësuar nga kjo, dhe çfarë mësimesh do të nxjerrim nga kjo? Cila është arsyeja që pikërisht tani vendet e BE-së do të duhej ta bëjnë Europën një vend solidariteti.

Çfarë na mëson pandemia e koronavirusit? Vallë na mëson diçka, apo ende është shumë herët për të parashtruar një pyetje të tillë? Edhe pse lajmet për vaksinat që na premtojnë sukses na japin rast për një shpresë të konsiderueshme, fundi i pandemisë nuk mund të parashihet edhe për një kohë të gjatë. Çdo javë, çdo ditë është e mbushur me njohuri të reja. Ne nuk mund ta parashohim se sa do të jetë numri i të infektuarve, të sëmurëve dhe të vdekurve, dhe çfarë pasoja të mëvonshme do të kenë të prekurit nga ky virus. Gjithashtu nuk kemi njohuri mbi pasojat afatgjate ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore të kësaj pandemie. Që tani, ne flasim për një kohë post-pandemike. Mirëpo, me çfarë karakterizohet kjo kohë në krahasim me kohën para pandemisë?

Padrejtësitë shfaqen në mënyrë më të theksuar
Derisa ca njerëz flasin me shpresë për kohën pas pandemisë, të tjerët janë të tronditur nga frika se çfarë mund të pasojë. Sigurisht që tanimë duket se shumë gjëra do të jenë ndryshe. Mirëpo, sa do të jenë shumë më ndryshe? Çdo përpjekje për interpretim në këtë moment është me rezervë. Politika udhëhiqet nga ajo që e sheh, po ashtu edhe shoqëria dhe secili prej nesh. Mundësi tjetër nuk ka.

Pandemia i prek, ashtu siç thotë edhe një fjalë e nxjerrë nga greqishtja e vjetër, „gjithë popullatën“. Në botën e sotme ajo është një ngjarje që e përfshin gjithë njerëzimin, pasi që janë të prekur të gjithë njerëzit e rruzullit tokësor. Megjithatë, pandemia nuk është një „baraspeshim“ i mirë, siç mund të lexohet ndonjëherë. Epidemitë kurrë nuk kanë qenë të tilla. Në kohë epidemishë, krahas atyre që kanë vuajtur ose është dashur të vdisnin nga një vdekje e mundimshme, ka pasur edhe të tillë që e kanë kaluar krizën të padëmtuar ose edhe madje kanë përfituar nga ajo krizë. Dallimet midis njerëzve që dalin nga mungesa e drejtësisë e që e përkeqësojnë jetën e shumë njerëzve, e shkurtojnë dhe e bëjnë më të dhimshme atë, madje në kohë pandemie bëhen edhe më të ashpra. Por kjo akoma nuk është e gjitha: ca zhvillime problematike, të cilat paraprakisht janë paraqitur në horizont, nën strehën e pandemisë do të përshpejtohen ato. Gjërat e mira nuk vazhdohen, pasi që ndihma është e nevojshme dikund tjetër apo mungon fuqia e duhur për to. Jo, virusi nuk na bën më të barabartë. Përkundrazi, mundëson që pabarazitë ekzistuese të paraqiten në mënyrë edhe më të theksuar dhe i përforcon ato. Në horizontin e pandemisë së koronavirusit bota paraqitet edhe më e padrejtë, më jonjerëzore se sa që ka qenë më herët.

Të jemi solidar – përtej kufijve shtetëror
„Jonjerëzore“ – është e dobishme të mendohet mbi kuptimin e kësaj fjale, pasi që, jonjerëzorja është shpesh tepër thellë njerëzore, pra me të mendohet diçka që i përket njeriut, që është normale apo e përhapur. Parashtesa „jo-“ në këtë fjalë nuk na tregon diçka që me automatizëm nuk do të ishte njerëzore apo që nuk i takon njeriut. Mbi të gjitha, aftësinë për të flutuuar me dëshirën tonë, ne nuk e quajmë „jonjerëzore“. Ajo parashtesë më shumë na tregon se në fakt ekziston te njerëzit, por se nuk duhet të ekzistojë. Kjo fjalë ka një dimension etik. Njerëzit nuk duhet të sillen jonjerëzisht, edhe në qoftë se kjo do të ishte krejtësisht tipike për sjellje të njerëzve.

Nga kjo mund të themi se: pabarazia dhe jonjerëzorja, të cilat tani bëhen më të theksuara dhe përforcohen, na tregojnë ndoshta diçka, që ne duhet të mësojmë nga kjo pandemi: se nuk është patjetër të ketë një mënyrë të vetme të caktuar të bashkëjetesës njerëzore. Në fakt, gjithmonë do të ketë dallime mes njerëzve. Mirëpo, ato nuk duhet të jenë aq të mëdha sa që të thyhet uniteti i njerëzimit. Pasi që ne jemi, ashtu siç thotë fjala e madhe e „Familjes njerëzore“, të gjithë farefis mes veti. Kjo nënkupton gjithashtu se duhet të mbajmë përgjegjësi për njëri-tjetrin dhe të sillemi me solidaritet ndaj njëri-tjetrit.

Në fillim të pandemisë njerëzit ishin shumë solidarë në nivel të familjes, ndërmjet fqinjëve e në sipërmarrje. Mirëpo, ajo që mungonte ishte një solidaritet në nivel ndërkombëtar dhe global. Si rezultat i kësaj, kjo krizë në Europë ndjeshëm është përkeqësuar. Por, që nga vera e kaluar kjo është pak më ndryshe. Kjo na jep shpresë, pasi që nga ana e politikës kërkohen veprime solidare, edhe atë përtej horizontit të Europës. Mirëpo, kjo vetvetiu nuk garanton një botë më solidare. Për të kërkuar mund të kërkohet shumë; të nevojshme janë vendime dhe vepra konkrete, jo vetëm në nivelin politik, por edhe në atë shoqëror dhe individual. Ata, të cilët kanë shumë, duhet të jenë të gatshëm të ndajnë nga pasuria e tyre. Nevojat ekzistenciale duhet të reduktohen. Bashkërisht do të mundemi të kërkojmë modele të një bashkëjetese globale, e cila nuk do të ishte vetëm sociale, por edhe më ekologjike dhe më e qëndrueshme. Veprat solidare duhet të jenë infektive ashtu sikur përhapja e koronavirusit në mbarë botën.

Që sot ta bëjmë fillimin
Fakti që virusi kishte një efekt shkatërrues në disa vende ka të bëjë edhe me mungesën afatgjatë të solidaritetit dhe indiferencën e përhapur kundrejt vuajtjeve dhe nevojave të njerëzve. A nuk duhet të rimendojmë drejtësinë dhe bazat e mënyrës se si jetojmë së bashku? Vallë a nuk duhet që, të paktën atje ku është në duart tona, sa më drejtë të shpëndajmë pasojat negative dhe efektet anësore të pandemisë? A thua nuk na duhet një politikë më ndryshe botërore e shëndetësisë? Varësisht se si do të financohet në të ardhmen OBSH-ja, si do të shpëndahen vaksinat, deri në çfarë mase do të jetë e suksesshme iniciativa COVAX – Shoqata mbarëbotërore për zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinave – varësisht se si do të organizohet bota postpandemike dhe si do të merremi me pasojat e shumëfishta të pandemisë, do të shihet nëse ndaj globalizimit të teknikës, ekonomisë dhe komunikacionit do të reagojmë me një globalizim të solidaritetit.

Në rast se ne, në Europë, e marrim me seriozitet çështjen e solidaritetit, koha e kësaj krize mund të bëhet një moment i rëndësishëm i Europës: një dobësi, nga e cila Europa do të del më e fuqishme. Një tronditje, e cila përsëri na shpie drejt parashtrimit të çështjes së themelit të bashkëjetesës sonë. Një lloj pasigurie që çon drejt një qartësie më të thellë se kush jemi dhe si dëshirojmë të jemi si europianë. Në shekullin e kaluar, krizat globale – të tilla si dy luftërat botërore – çuan në një thellim të tillë të asaj që është europiane. Pse kjo do të duhej që në këtë krizë të tanishme të jetë ndryshe? Nëse një gjë është e qartë, është fakti që asnjë shtet kombëtar europian nuk mund të përballet vetë me pandeminë dhe pasojat e saj. Nëse për një gjë nuk ka dyshim, është konstatimi që pikërisht vendet europiane janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Dhe nëse një gjë do të duhej të jetë e qartë, ajo është se një Europë që nuk është e aftë të solidarizohet brendapërbrenda, për të cilën gjë në pranverë kishte shembuj trishtues, edhe nga jashtë nuk do të tregojë solidaritet. Por, a do të ishte ende Europë, një Europë që as nga brenda e as nga jashtë nuk e ruan trashëgiminë e solidaritetit? Europa dikur e ka zbuluar hotizontin e universales, e cila pikërisht pse është universale nuk është vetëm europiane. Dhe ky horizont po na afrohet me kërkesa për solidarizim me të tjerët, natyrisht me të gjithë njerëzit, veçanërisht me ata që po vuajnë, me të sëmurët, të dobëtit.

Vallë do të mbledhim forcë, të shmangim jonjerëzoren dhe të bëhemi më njerëzor? Ndoshta për disa vite do të konstatojmë se ne – individualisht, në familjet tona, rrethet tona miqësore, shoqata, grupe të shoqërisë civile dhe komunitete fetare, si njerëzim – do të kemi mësuar shumë pak ose aspak nga kjo pandemi, duke i përjashtuar vetëm ato fjalët miqësore, e që në fund të fundit edhe nuk janë detyruese. Do të konstatojmë gjithashtu se nuk e kemi dëgjuar thirrjen e detyrimit përballë situatave jonjerëzore. Shumëçka na tregon se kjo nuk është e pamundur. Jemi përmalluar aq shumë për normalizim, sa që sapo kushtet e jetesës normale të kthehen në njëfarë mase, do të mund t’i harronim urgjencat e pandemisë së koronavirusit. Në rrethana të caktuara bëhet akoma më e theksuar bashkëjetesa jonë jonjerëzore. Por mbase do të del krejtësisht ndryshe, aq ndryshe, sa që sot as që mund ta imagjinojmë. Të shpresojmë, dhe nëse do të duhej të del ashtu, duhet të fillojmë që sot.