Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR kanë shpërndarë sot ndihma në veshmbathje për fëmijët jetimë në Tiranë, në prag të festës së Kurban Bajramit dhe fillimit të vitit të ri shkollor, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin me moton “Ju nuk jeni vetëm” organizuar në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, merrnin pjesë zëvendësambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, drejtori i Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë për Stambollin, Ilhami Yıldırım, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, përfaqësues të Këshillit të Qarkut Tiranë, fëmijë jetimë dhe familjarë të tyre.
Në ditët në vazhdim do të përfundojë shpërndarja e ndihmave në veshmbathje për 3141 fëmijë jetimë, ndërsa në aktivitetin e organizuar sot janë shpërndarë 1100 pako me ndihma.
Zëvendësambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, në fjalën përshëndetëse gjatë aktivitetit u shpreh se “Ky organizim bëhet me rastin e Kurban Bajramit dhe na e shton gëzimin tonë. Gjysmëhëna e Kuqe Turke shpërndan ndihma në të gjithë botën. Populli shqiptar dhe Shqipëria kanë një vend të veçantë në zemrën e popullit turk dhe këtë e tregon dhe ndihmat që shpërndahen sot.”
Drejtori i Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë për Stambollin, Ilhami Yıldırım, në një prononcim për mediat gjatë aktivitetit u shpreh se planifikohet që këto ndihma në të ardhmen të rriten dhe të vazhdojë bashkëpunimi me organizatat shqiptare.
“Ne së Gjysmëhëna e Kuqe Turke po shpërndajmë ndihma me rastin e afrimit të festës së Kurban Bajramit. Kontingjenti i këtyre ndihmave është 3141 pako. Edhe këtë vit me rastin e Kurban Bajramit përveç ndihmave në veshmbathje ne planifikojmë të ofrojmë 12 mijë pako me mish për familjet në nevojë. Këto organizime nuk bëhen vetëm në Shqipëri, por në gjithë shtetet e Ballkanit. Në të ardhmen planifikojmë që këto ndihma të rriten dhe të vazhdojmë bashkëpunimin me organizatat shqiptare dhe me shtetin shqiptar, sepse ne i konsiderojmë vëllezër shqiptarët. Lidhjet tona kanë qenë gjithmonë të forta dhe do të shtohen edhe më shumë”, theksoi Yıldırım.
Ndërsa kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, duke folur për mediat theksoi se fondacioni që ai drejton prej vitit 2008 dhe prej themelimit ka kryer në Shqipëri 463 projekte.
“Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kemi realizuar 40 projekte, 13 prej tyre janë projekte humanitare. Në ditët në vazhdim kemi projektin për Kurban Bajramin, ku do të ndihmohen 14 mijë familje me partnerët e ardhur nga Turqia dhe Gjermania. Sot vazhdon shpërndarja e ndihmave për 1100 jetimët në Tiranë, ndërsa duke filluar nga nesër dhe në ditët në vazhdim do të shpërndajmë ndihmat për jetimët në Elbasan, Librazhd, Përrenjas, Pogradec, etj”, u shpreh Gurra.