Gjysmaku

Edison Ypi

Gjysmaku ka shtat mesatar, shëndet mesatar, inteligjencë mesatare.
Gjysmaku është mesatarisht i pasur, mesatarisht i ditur, mesatarisht i edukuar.
Gjysmaku ulet në bankën e mesit të rreshtit të mesit, ka rezultate mesatare në mësime.
Gjysmaku shtrohet në mes të sofrës, ha mesin e byrekut, e ngul pirunin në mes të tavës, merr llokmën mesatare të mishit.
Gjysmaku qëndron në mes të sallës, rri diku në mes të turmës, voton në mes të politikës.
Puna që Gjysmaku di ta bëjë më mirë është shkatërrimi gjithçkaje të plotë.
Për Gjysmakun, të gjithë janë të mirë, të gjithë janë të këqinj, të gjithë kanë të drejtë, të gjithë e kanë gabim, të gjithë duhet të jetojnë, të gjithë duhet të vdesin.
Gjysmaku realizon plotësisht; gjysmën e natës, gjysmën e ditës, gjysmën e gjumit, gjysmën e zgjimit, gjysmat e ambicjeve, gjysmat e pretendimeve, gjysmat e qëllimeve, gjysmat e shpresave.
Aty nga gjysma e jetës gjysmaku martohet dhe bën gjysma kalamajsh.
Turmat e gjysmakëve që flasin përgjysëm për shtetin, punën, politikën, institucionet, shoqërinë, janë moçali ku mbyten shpresat dhe idealet e gjithë të tjerëve.
Valangat e gjysmakëve të Internetit dhe virtualitetit, janë gjysmakët emblematikë të kohës sonë.
Të shumtët e gjysmakëve që e kanë hak gjysmën e lekut janë ata që mezi thurin gjysëm fjalie, mezi shkruajnë gjysëm rreshti, mezi përcjellin gjysëm mesazhi.
Dëmet që shkaktojnë luftrat, janë të papërfillëshme para tmerreve që shkakton vëlla i mesëm i Hiçit dhe Plotit, gjysmaku që e ka shndrruar botën në një oqean budallallëku.

Nga: Edison Ypi

Exit mobile version