Ballina Lajmet Kosovë Gjysma e PD-së shkon me PDK-në, gjysma me LDK-në

Gjysma e PD-së shkon me PDK-në, gjysma me LDK-në

Nënshkruhet edhe zyrtarisht koalicioni në mes të Partisë së Drejtësisë dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Marrëveshja për të garuar së bashku në zgjedhjet e 11 qershorit është nënshkruar në selinë e PDK-së nga kryetari i partisë më të madhe në vend Kadri Veseli dhe kryetari i PD-së Ferid Agani.

Me këtë rast Veseli tha se koalicioni është tërësisht perëndimor dhe evropian.

Ai u shpreh se ndihet i nderuar për aderimet e reja në PDK dhe tha se ky është vetëm fillimi i “Fillimit të Ri” pasi që do të ketë edhe marrëveshje të tjera me parti të tjera.

Veseli tha se do të fokusohen që me Fillim të Ri t’i japin një dinjitet të merituar gruas dhe të rinjve.

Ndërsa Ferid Agani, u shpreh se koalicioni i arritur sot mes PDK-së dhe PD-së është një vazhdimësi e bashkëpunimimit dhe përkushtimit.

Agani tha se kanë rënë dakord që PD do reformojë sistemin e shëndetësisë, punën që sipas tij e ka lënë në gjysmë para tri vitesh.

Në këto zgjedhje PD do të garojë me 5 deputetë.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka nënshkruar edhe zyrtarisht koalicionin parazgjedhor me Lëvizjen për Drejtësi, të udhëhequr nga Sylejman Çerkezi, ku pas nënshkrimit të këtij koalicioni, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se kemi synim të përbashkët që ta zhvillojmë vendin.

“Jam i bindur se do ta kemi përkrahjen e qytetarëve dhe që bashkërisht do të dalim fitimtarë në këto zgjedhje”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Qerkezi tha se janë dy pika programore që i lidhin: e para besimi në zot dhe e dyta besimi në familje.

“Më emër të këtyre dyjave të kemi rrugëtim të përbashkët. Pas këtij rrugëtimi besojmë thellë dhe rezultati të jetë më bindës”, ka thënë ai.

Isa Mustafa ka thënë se në vazhdim do të nënshkruajnë koalicion me Alternativën, ndërsa se a do të ketë koalicion me AKR-në ka thënë se shohin rrugë të përbashkët, por mbetet çështje e vullnetit të këtyre dy subjekteve.

Ai ka thënë se deri në orën 24 janë duke i pritur edhe dy marrëveshje.

 

 

Exit mobile version