Stephen Kapos, 87-vjeçari i mbijetuar i Holokaustit, vajza e tij Adrea Kapos dhe mbesa Isla Kapos bënë thirrje që armëpushimi në Gaza të jetë i përhershëm dhe që përgjegjësit e gjenocidit të gjykohen në gjykatat ndërkombëtare, raporton Anadolu.
Duke marrë pjesë në marshimet në mbështetje të Palestinës që mbahen në Londër që prej 7 tetorit, Stephen Kapos, vajza dhe mbesa e tij protestuan kundër sulmeve të Izraelit në Gaza duke mbajtur pankarta ku shkruhet “Stop gjenocidit në Gaza”.
Kapos i cili ishte 7-vjeç kur i mbijetoi Holokaustit në Budapest, kryeqyteti i Hungarisë, foli për AA-në lidhur me armëpushimin në Gaza me vajzën dhe mbesën e tij, me të cilat mori pjesë në marshimet në mbështetje të Palestinës.
– “Përgjegjësit duhet të gjykohen në Hagë”
Kapos u shpreh se armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit do të ishte një lehtësim i madh për Palestinën, veçanërisht për njerëzit në Gaza të cilët vuajnë prej kohësh.
Megjithatë Kapos tha se është i shqetësuar që ky nuk është një armëpushim i përhershëm, duke shtuar: “Ajo që ne vërtet dëshirojmë është që të sigurohet një armëpushim i përhershëm në mënyrë që bombardimet të mos fillojnë përsëri në asnjë moment”.
Do të duhet një përpjekje heroike për rindërtimin e disa rajoneve të Gazës, tha Kapos i cili shtoi më tej:
“Unë nuk dua që Izraeli të shkojë përsëri në Gaza dhe ta bombardojë përsëri. Kjo është arsyeja pse duhet të ketë një armëpushim të përhershëm dhe një zgjidhje të vetme të shtetit demokratik që shtrihet nga ‘lumi në det’. Unë nuk mendoj se armëpushimi do të jetë i mjaftueshëm për të sjellë drejtësi, deri kur ata që janë përgjegjës për këto krime të sillen para gjyqit në Hagë dhe të gjykohen. Kjo përgjegjësi përfshin jo vetëm autorët e drejtpërdrejtë, shtetin e Izraelit dhe shtetet e ndryshme dhe ushtarët aktivë atje, por në të njëjtën kohë edhe partnerët që e bëjnë të mundur këtë, duke përfshirë edhe qeverinë tonë”.
– “Ne duam një armëpushim të përhershëm dhe paqe për të ardhmen”
Adrea Kapos, vajza e të mbijetuarit të Holokaustit, shprehu gjithashtu kënaqësinë e saj për armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit.
Duke folur rreth sulmeve izraelite që nga 7 tetori dhe faktin që këto sulme kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha në Rripin e Gazës, Kapos tha: “Çfarë do të ndodhë tani? A do të mund të kthehen njerëzit në shtëpitë e tyre që nuk ekzistojnë më? Cila do të jetë e ardhmja e popullit të Gazës, qoftë edhe nën një armëpushim. Këto janë të paqarta?”.
Ajo gjithashtu tha se ishte e paqartë nëse Izraeli do të respektojë apo jo armëpushimin në Gaza dhe kujtoi se Izraeli e ka shkelur armëpushimin shumë herë në të kaluarën.
“Nuk mund të komentoj për të ardhmen, por nuk kam shumë shpresë. Duke pasur parasysh sjelljen e Izraelit në të kaluarën, ne nuk mund ta dimë. Ne vetëm mund të shpresojmë”, tha Andrea Kapos.
Duke theksuar se duan të shohin një armëpushim të përhershëm në Gaza, ajo theksoi: “Ajo që ne duam në të vërtetë është një armëpushim i përhershëm dhe sigurimin e paqes në të ardhmen, pavarësisht se në çfarë mënyre. Unë nuk mund ta parashikoj të ardhmen, por e dua këtë për të gjithë”.