Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar ankesën e Listës Serbe ndaj vendimit të PZAP-së që e gjobiti me 25 mijë euro për publikimin e spotit që flet kundër ushtrisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP aprovoi ankesën e BIRN ndaj spotit politik të Listës Serbe duke e gjobitur me 25 mijë euro ndërsa ndaj këtij vendimi Lista Serbe u ankua në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Lajmin për refuzimin e ankesës së Listës Serbe për KALLXO.com e konfirmoi Antigona Uka, zëdhënëse e Gjykatës.
“Gjykata Supreme me vendimin AA nr.4/2017 të datës 12.06.2017 ka vendosur lidhur me ankesën e Listës Serbe, ku është refuzuar ankesa e ankuesit dhe është vërtetuar vendimi I PZAP me numër A. 120/2017”, tha Uka.
Gjoba nga PZAP i është shqiptuar Listës Serbe për shkak të shkeljes së kodit të mirësjelljes për subjekte politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët.
Më 07 qershor 2017 BIRN dhe Interneës Kosova kanë dorëzuar ankesë në PZAP në të cilën pretendonin se subjekti politik Lista Serbe ka publikuar një spot zgjedhor me mesazhe kërcënuese për moskrijimin e Ushtrisë së Kosovës dhe kundër funksionalizimit të plotë të shtetit të Kosovës.
Në spot po ashtu bëhet thirrje për ruajtjen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, ndërsa Kosova quhej “Kosova dhe Metohija”.
Ankesa e BIRN dhe Interneës Kosova i bën me dije Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se spoti i Listës Serbe ka mesazhe që nxisin provokim dhe urrejtje ndaj ekzistencës së shtetit të Kosovës dhe është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Lista Serbe, obligohet që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi të PZAP-it të paguajë gjobën në shumën prej 25 mijë eurove.
Edhe në zgjedhjet për kryetar të Drenasit në dhjetorin e vitit që shkoi, PZAP-i kishte aprovuar disa ankesa të BIRN dhe Interneës Kosova.