Gjykata Supreme në vendimin për kthimin në garën zgjedhore të Zafir Berishës ka thënë se vetëm gjykatat kanë të drejtë t’ua marrin kandidatëve të drejtën për t’u zgjedhur.
Gjykata Supreme e Kosovës në vendimin e saj për kandidatin e Nismës për kryetar të Prizrenit Zafir Berisha të cilin e ka siguruar KALLXO.com, ka thënë se vetëm gjykatave u takon që ta marrin vendimin e “heqjes së të drejtës për t’u zgjedhur”.
“Marrja e së drejtës së dikujt për të garuar në zgjedhje për shkak të ndonjë vepre penale nuk ka emërtim tjetër përpos sanksion penal. Sanksionin penal mund ta shqiptojë vetëm një gjykatë e paanshme e themeluar me ligj”, thuhet në vendimin e Supremes.
Supremja më tutje thotë se neni 29 pika q e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme bie ndesh me Kushtetutën.
“Nisur nga kjo, del se dispozitat e nenit 29 paragrafit 1, pikës q të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme bie ndesh me Kushtetutën, përkatësisht nenin 45 të Kushtetutës”, thuhet në vendim.
Edhe Dren Ajeti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike e ka të njëjtin mendim me Supremen.
“Neni 45 pika 1 i Kushtetutës së Kosovës decidivisht përmend se e drejta për të kandiduar për një post publik përmes zgjedhjeve mund të kufizohet vetëm përmes një vendimi gjyqësor”, tha Ajeti për KALLXO.com.
Neni 45 i Kushtetutës së Kosovës thotë se kushdo që e ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, e gëzon të drejtën për të zgjedhur dhe t’u zgjedhur, me përjashtim kur kjo e drejtë u kufizohet me vendim gjyqësor.
Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 12 shtator i largoi nga gara për zgjedhjet e 22 tetorit 86 kandidatë që në tre vjetët e fundit para këtyre zgjedhjeve janë dënuar me veprim të prerë nga gjykatat, pasi mori listën e dënuarve nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Ky vendim u mor me shumicë të madhe, me një votë kundër dhe një abstenim.
Eshref Vishi nga NISMA për Kosovën votoi kundër decertifikimit të kandidatëve duke thënë se është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Dren Ajeti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike e konsideron problem që me ligj nuk rregullohet se për cilat vepra penale mund të decertifikohen kandidatët.
“Ligji nuk bën asnjë dallim në bazë të gradës së veprës penale apo lartësisë së dënimit të shqiptuar me vendim gjyqësor, gjegjësisht çdokush i dënuar për vepër penale në tre vjetët e fundit – pa marrë parasysh veprën penale – nuk mund të kandidojë për zgjedhjet komunale”, tha Ajeti.
Sipas Ajetit njësoj përjashtohen nga gara e zgjedhjeve edhe personi që mund të jetë dënuar për dhënie të ndihmës veterinare në mënyrë të pandërgjegjshme, por edhe ai që ka dënim për marrje ryshfeti.
Të njëjtin shqetësim e ka shprehur edhe Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu”.
Demhasaj tha për KALLXO.com se është e padrejtë që ky proces nuk ka shkuar sipas një kategorizimi që do t’ua hiqte mundësinë për pjesëmarrje në zgjedhje personave që kanë kryer vrasje që janë përfshirë në korrupsion, apo në krim të organizuar, ndërsa personave të dënuar për vepra të një natyre më të lehtë të mos u merrej e drejta për t’u zgjedhur.
Në Komentarin e Kushtetutës së Kosovës, Ivan Çukaloviq flet për të drejtën aktive dhe pasive për zgjedhje (përkatësisht të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur).
Në komentimin e kësaj pike, autori i komentarit dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, nuk i referohet Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme por vetëm kufizimit të moshës dhe kufizimit nga vendimi i gjykatës.
Gjykata Supreme rrëzoi sot vendimin e KQZ-së për decertifikimin e Zafir Berishës, duke miratuar ankesën e tij.
Berisha ishte shpallur fajtor për lidhje të paautorizuar të rrymës.