Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicollas Guilloi ua ka vazhduar paraburgimin dy krerëve të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Me këtë rast, Guillou ka kërkuar nga palët që deri më 1 shkurt të dërgojnë parashtresat e tyre për lirim me kusht, pra deri në rishikimin tjetër të paraburgimit, shkruan lajmi.net.
Vendimi për zgjatjen e paraburgimit është marrë më 24 dhjetor, mirëpo që është bërë publik tash së fundmi.
Gjykata ka konsideruar në vendimin e saj se përkundër kushteve të propozuara nga avokatët mbrojtës ekziston sërish rrezik që të akuzuarit të ndërhyjnë në proces.
Mbrojtja e Gucatit kishte propozuar kushtet si në vijim:
Kushti 1: Gucati të mos hyjë në Prishtinë.
Kushti 2: Ta ketë vetëm një pajisje elektronike për komunikim, në detajet e së cilës do të ketë akses Prokuroria e Specializuar.
Kushti 3: Gucati të jetojë jashtë Kosovës. Të banojë dhe flej çdo natë në shtëpinë e caktuar në(adresa e redaktuar) shtet i palës së tretë. Kjo shtëpi i përket një të afërmi të tij, dhe në të njëjtën jetojnë edhe familjarët.
Ndërkaq avokati i Nasim Haradinajt kishte propozuar këto kushte:
Kushti 1: Dorëzimi i Pasaportës dhe ndalimi për ta lëshuar Kosovën, përveç paraqitjeve të caktuara në Gjykatë.
Kushti 2: Të banojë në adresën e tij permanente, dhe të mos kërkojë ndryshimin e saj.
Kushti 3: Çdo pajisje e përdorur për komunikim, të jetë e lidhur dhe regjistruar me Prokurorinë e Specializuar.
Kushti 4: Të raportojë në një stacion lokal policor në frekuenca të përcaktuara.
Kushti 5: Të përmbahet nga kontakti me bashkë-të akuzuarin (Hysni Gucatin).
Kushti 6: Marrja përsipër që ai mos të komunikojë me mediat, të kërkojë të publikojë informacione rreth tij apo ndonjë çështje tjetër që aktualisht është subjekt i gjykatës.
Sidoqoftë, këto kushte janë hedhur të gjitha poshtë, dhe paraburgimi ndaj të dyve është vazhduar.