Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët pritet të akuzohen nga Gjykata Speciale, nuk pritet të dalin para drejtësisë deri kah fundi i këtij viti apo fillimi i vitit 2017.
Kjo të paktën është konfirmuar nga kryeprokurori David Schwendiman, raporton RTV21.
Aktualisht është hapur konkursi për të përzgjedhur prokurorë e gjykatës që do të punojnë në këtë gjykatë e të cilët do të merren me rastet e krimeve të pretenduara që kanë kryer ish-pjesëtarët e UÇK-së gjatë viteve 1998-2000.
Avokati Tahir Rrecaj, duke mos dashur të përmend emra, thotë se nuk përjashtohet mundësia që akuzat e para të ngrihen ndaj zyrtarëve të lartë të skenës politike në vend.
Schwendiman ka thënë më parë se do të bisedojë me prokurorë të shteteve të rajonit, e edhe me ata serbë për të mbledhur informata në lidhje me dyshimet për krimet e kryera nga ish-ushtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.
Mirëpo, avokati Tomë Gashi thotë se prokurorët serbë mund të ndikojnë në proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Sipas dy avokatëve, Rrecaj e Gashi, të gjitha krimet e pretenduara që janë kryer gjatë luftës në Kosovë, do të duhej të trajtoheshin nga gjykatat e Kosovës “në mënyrë që vendi ynë të forcohet në këtë aspekt e t’i zgjidh problemet e veta”.