Gjykata Speciale fillon vlugun e aktakuzave brenda disa javëve

Prokuroria Speciale në Hagë ka filluar të intervistojë të ftuarit e parë. Intervistimi i dy ish-komandantëve të luftës, Rrustem Mustafa – Remi dhe Sami Lushtaku është kryer para disa ditësh në Hagë, ndërsa së fundmi në Prishtinë është intervistuar Nazif Mehmeti.E sa i përket vendit ku kryhen intervistat, për lajmi.net e ka sqaruar edhe avokati i akredituar i Gjykatës Speciale, Tomë Gashi.Ai është shprehur se vendi i intervistimit është strategji e prokurorëve dhe kjo mund të ndodhë për arsye të nivelit të të intervistuarve. Gashi gjithashtu ka treguar se në intervistimet të cilat janë kryer në Prishtinë, saktësisht në Fushë Kosovë nuk ka pasur asnjë prokuror, por vetëm hetues, për dallim nga intervistat të cilat janë kryer në Hagë.“Mund të ketë shumë arsye ligjore pse një pjesë e të dyshuarve, por edhe dëshmitarëve, janë duke u intervistuar në Prishtinë, saktësisht në qendrën me përgjegjësi të EULEX-it në Fushë Kosovë dhe në këtë zyre deri më tani nuk ka pasur asnjë prokuror. Sipas të gjitha njoftimeve të cilat janë dhënë nga ata që janë intervistuar, por edhe avokatët e tyre, në shumicën e rasteve kanë qenë vetëm hetues, që i bie se personat e intervistuar në Kosovë janë të nivelit më të ulët dhe kjo është strategjia e prokurorëve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë për intervistë”, është shprehur Gashi për lajmi.net. Avokati ka theksuar gjithashtu se në intervistimet që kryhen në Hagë, punohet me ekipe dhe me më tepër se një prokuror.“Ndërsa në Hagë, në Gjykatën Speciale, respektivisht, Zyrën e Prokurorit Special, ata punojnë me ekipe dhe janë më tepër se një prokuror dhe më tepër se disa prej zyrtarëve të zyrës së prokurorisë, që i marrin në pyetje qoftë të dyshuarit qoftë dëshmitarët e caktuar”, ka shtuar Gashi.Gashi për lajmi.net gjithashtu ka shpjeguar disa nga dispozitat ligjore të Gjykatës Speciale, duke thënë se beson që strategjinë e bën prokurori për arsye të logjistikës.Ai ka cekur rastin e Sami Lushtakut i cili është mbrojtur në heshtje, duke shpjeguar se kjo nuk ka ndonjë efekt shtesë dhe personit nuk i mohohet e drejta të deklarohet pas mbrojtjes në heshtje.“Unë besoj që strategjinë e bën prokurori, për arsye të logjistikës dhe për arsye të tjera dhe kjo nuk do të thotë që personat që intervistohen në Hagë kanë trajtim tjetër, nga personat që intervistohen në Prishtinë. Për shembull, Sami Lushtaku është mbrojtur në heshtje dhe kjo është e drejt e tij ligjore që e ka shfrytëzuar, këtë ka mundur ta bëjë edhe në Prishtinë pa asnjë problem sepse efekti është i njëjtë, por zyra e prokurorit e ka ftuar atje për arsye të cilat ata i dinë, por nuk ka ndonjë efekt nëse personi mbrohet në heshtje, ai është thjesht dhënie e deklaratës formale ku i njoftohen të drejtat, njoftohen dyshimet që janë dhe ai deklaron që nuk do të japë deklaratë, mirëpo nuk i mohohet që në të ardhmen secilit, nuk po flas konkretisht për z. Lushtaku, por për secilin që në të ardhmen të japë deklaratë edhe nëse zgjedh mënyrën e mbrojtjes në heshtje”, është shprehur Gashi më tutje.Gashi hollësisht ka shpjeguar për lajmi.net se të ftuarit e Speciales mund të bëjnë kërkesë të intervistohen edhe në vende të tjera të botës, nëse shtetet përkatëse pranojnë. “Më thjesht, është strategji e prokurorëve se kur dhe kënd do ta intervistojnë, qoftë në Kosovë apo në Hagë, meqenëse së paku në zyrën time këtu janë lajmëruar së paku deri tani shtatë persona të cilët kanë marrë ftesa për Gjykatën Speciale dhe një pjesë e tyre kanë kërkuar të intervistohen edhe në SHBA, që i bie larg Kosovës dhe larg Hagës. Mirëpo, me dispozitat ligjore të Gjykatës Speciale, këta mund të intervistohen në secilin shtet vetëm me kushtin që ai shtet të pranoj”, ka vazhduar më tutje avokati Gashi.“Tani, kemi intervista që janë dhënë në Hagë, kemi intervista që janë dhënë në Prishtinë dhe kemi kërkesa që të jepen intervista edhe në kontinente tjera”, ka potencuar Gashi.Gjithashtu, avokati Tomë Gashi ka treguar se ka qindra – dhjetar persona në cilësinë e dëshmitarëve që dëshmitë e tyre i kanë dhënë në Serbi dhe disa prej këtyre dëshmive do të bëhen publike.Poashtu, Gashi ka treguar se ngritja e akuzave do të fillojë brenda disa jave, atëherë kur edhe do të bëhen publike këto dëshmi. “Në bazë të dispozitave ligjore, munden kudo, mirëpo problemi është që ne e dimë se dhjetëra dhe qindra persona në cilësinë e dëshmitarëve kanë dhënë dëshmitë e tyre në Serbi, në Beograd, dhe me këto askush nuk është duke u marrë sepse jemi larg fazës për t’i ditur konkretisht ato, më thjesht për t’i pasur dëshmitë e tyre, por këto dëshmi do të bëhen publike, pjesërisht, jo të gjitha, vetëm kur fillon ngritja e akuzave, ndërsa ngritja e akuzave fillon brenda disa jave”, ka përfunduar Gashi.