Gjykata serbe ia cakton 1 muaj paraburgim kosovarit të arrestuar mbi pretendimin për krime në Koshare

Personit të arrestuar nga Serbia, me pretendimin për krime lufte në Koshare, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj.

Zëdhënësja e Gjykatës së Lartë në Beograd, Milica Veliçkoviq, ka thënë se ky vendim është marrë për shkak se ekziston rreziku i arratisjes, transmeton klankosova.tv.

“Kjo që të mos ndikojë te dëshmitarët dhe për shkak se i dyshuari është akuzuar për vepër penale për të cilën është paraparë dënimi me burg mbi 10 vjet, si dhe mënyra e kryerjes së krimit dhe serioziteti i pasojave bëri që opinioni të shqetësohet”, tha Veliçkoviq, shkruan Tanjug.

Sekretari i Zyrës së Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, ka reaguar pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka njoftuar se policia serbe ka arrestuar kosovarin me iniciale F.K me pretendimet se “ka kryer krime” në Koshare kundër ushtrisë jugosllave.

Haxholli ka thënë se është për keqardhje që Serbia një vend që ka kryer luftë e gjenocid, nuk i ndalon arrestimet.