Ballina Lajmet Kosovë Gjykata: Pronat e uzurpuara duhet të lirohen

Gjykata: Pronat e uzurpuara duhet të lirohen

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media ka thënë se me datën 19.09.2016 dhe sot më 26.09.2016 është vepruar në ekzekutim të aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës në lidhje me lirimin e pronave të uzurpuara.

“Çështja për të cilën është vepruar me datën 19.09.2016 dhe sot në gjykata ka filluar të trajtohet që në vitin 2005. Gjykata ka kërkesë për ekzekutim të aktgjykimit të plotfuqishëm ( në këtë rast aktgjykimi C.nr.2137/05) i cili ka formën e prerë që nga data 17.11.2008.

Nga kjo rezulton se tani në vitin 2016 po ekzekutohet një vendim gjykata i plotfuqishëm që para 8 viteve”, thuhet në njoftimin për media.

Më tej gjykata ka theksuar se të gjitha palët që ju takon ky vendim i plotfuqishëm kanë qenë në dijeni që nga viti 2008 se këto prona të uzurpuara duhet të lirohen.

‘Për më tepër Gjykata Themelore në Prishtinë në procedurë të ekzekutimi të aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës ka treguar maturi, dhe kujdes të posaçëm dhe çdo pretendim se ka qoftë edhe një shkelje të drejtave të palëve është absolutisht i pa bazë. Për qartësim-mos ekzekutimi i vendimeve të plotfuqishme është vepër penale”, thuhet më tej në njoftim.

Gjykata ka thënë tutje se është duke vepruar në aplikim të dispozitave ligjore në fuqi. Dhe ky është obligim ligjor për gjykatën.

Policia e Kosovës është duke vepruar në përkrahje të Gjykatës për zbatimin e aktgjykimeve të plotfuqishme.

Exit mobile version