Gjykata Kushtetuese shpall të pavlefshëm Ligjin për Pagat

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit pas ankesave të disa sindikatave.

Pas dy pezullimeve, Gjykata ka vendosur që ky ligj në tërësi nuk është në përpuethshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata ka thënë se ka ardhur në përfundim se ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve. Aty ka theksuar se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës, dhe vet Kuvendin.

Vetëm pesë ditë pasi ka hyrë në fuqi Ligji i ri për paga, në dhjetor të 2019-s, Avokati i Popullit e kishte dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Këtij institucioni i është kërkuar që të vendosë masë të përkohshme ndaj zbatimit të këtij ligji. Pasi sipas Avokatit të Popullit është e nevojshme që të mbrohet interesi publik për të evituar dëmet e pariparueshme që do të mund të shkaktoheshin nga zbatimi i Ligjit për paga.

Kjo kërkesë është bërë pasi Avokati i Popullit ka pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër Ligjit për paga, duke përfshirë këtu edhe ankesat nga punëtorët në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil