Gjykata holandeze: Holanda “pjesërisht fajtore” në gjenocidin e Srebrenicës

Gjykata e Apelit në Holandë ka vendosur se Holanda është pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e rreth 300 meshkujve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjykata e Apelit në Hagë ka miratuar gjykimin e vitit 2014 të gjykatës rajonale, sipas të cilit qeveria holandeze është pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e meshkujve boshnjakë.

Gjykatësi Gepke Dulek tha se ushtarët holandezë kanë nxjerrë nga kampi ushtarak 300 boshnjakë dhe më këtë i kanë privuar ata nga “gjasa për të mbijetuar”.

Gjykata ka vendosur gjithashtu se do të përmbushet 30 për qind e dëmshpërblimit të kërkuar nga të afërmit e viktimave.

Ndryshe, si rezultat i padisë së hapur nga Shoqata e Nënave të Srebrenicës ndaj Holandës në vitin 2007, Gjykata Rajonale e Hagës në vitin 2014 kishte shpallur Holandën pjesërisht fajtore për shkak të dorëzimit të 300 civilëve që ishin strehuar te batalioni holandez me detyrë në kuadër të Kombeve të Bashkuara (OKB) ushtarëve serbë.

Pas shpalljes së vendimit, avokati i të afërme të viktimave të Srebrenicës, ka shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit dhe kishte paralajmëruar ankimimin e vendimit në kuadër të kornizave ligjore.

Srebrenica, e cila gjatë luftës në Bosnjë ishte nën mbrojtjen e OKB-së, më 11 korrik të vitit 1995 u okupua nga njësitet serbe të kryesuara nga gjenerali serb Ratko Mlladiç. Shumë bosnjakë që ishin strehuar tek ushtarët holandezë me detyrë nën çatinë e OKB-së, u ishin dorëzuar serbëve.

Ushtarët serbë masakruan nëpër pyje dhe depo pjesën e konsiderueshme të boshnjakëve të dorëzuar. Ngjarjet në Srebrenicë më pas janë pranuar si gjenocid nga ana e Parlamentit Evropian dhe OKB-së.