Ndalesa e kryeqytetit Berlin për mësueset që mbajnë shami është antikushtetuese, vendosi një gjykatë e lartë gjermane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një mësuese muslimane, të cilës nuk iu lejua të jepte mësime në shkollat shtetërore të Berlinit sepse mbante shami, është “diskriminuar për shkak të fesë së saj”, vendosi Gjykata Federale e Punës.
Dirk Behrendt, senatori i drejtësisë në Berlin, u shpreh kundër ndalesës, duke shkruar në Twitter: “Në një shoqëri multi-fetare, çështja duhet të jetë me atë se çfarë ka dikush brenda kokës së tij, e jo çfarë ka mbi kokë”.
Sipas aktit të neutralitetit të Berlinit në vitin 2005, i cili parandalon nëpunësit civilë të veshin rroba fetare dhe simbole, mësueset në qytet u ndaluan të mbanin shami.
Mësuesja të cilës iu tha se nuk mund të vazhdonte të kryente punën në Berlin nëse ajo vazhdonte të mbante shaminë, e dërgoi çështjen në gjykatën themelore të punës Berlin-Brandenburg.
Në vitin 2018 kjo gjykatë urdhëroi Berlinin që t’i paguante gruas 5.159 euro në kompensim, duke thënë se shamitë mund të ndaloheshin vetëm nëse ekzistonte një kërcënim konkret për paqen në shkollë.
Vendimi i fundit i erdhi pasi Berlini paraqiti një apel, duke cituar aktin e neutralitetit, mirëpo gjykata federale konfirmoi vendimin e gjykatës themelore.
Gjykata federale citoi gjithashtu një vendim të vitit 2015 nga Gjykata Kushtetuese Federale duke deklaruar se liria e fesë nuk mund të kufizohej për shkak të një “rreziku abstrakt”, por vetëm nëse “rreziku i mjaftueshëm konkret” vërehet në shqetësimin e paqes në shkollë.