Një gjykatë në rajonin Wallonia të Belgjikës ka vendosur se kërkimi i certifikatës së vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19) është i paligjshëm dhe ka urdhëruar qeverinë lokale të paguajë një gjobë ditore prej 5 mijë eurosh derisa të tërheq masën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç raportojnë mediat lokale, Gjykata e Shkallës së Parë e qytetit Namur të martën vendosi se tregimi i Biletës së sigurt COVID (CSD) është i paligjshëm në rajonin Wallonia.
Sipas vendimit, rregulli që kërkon që të gjithë qytetarët të tregojnë CST-në e tyre para se të hyjnë në kafene, restorante, palestra dhe ambiente të mbyllura kufizon liritë individuale në një mënyrë jo-proporcionale që nuk i shërben qëllimit që ata ndjekin.
Një organizatë jofitimprurëse e quajtur ‘Notre bon droit’ (E drejta jonë e dobishme) nisi procedurën për të sfiduar dekretin e rajonit Wallonia për certifikatën e vaksinimit COVID-19.
Rajoni Wallonia njoftoi se nuk do ta shfuqizojë rregulloren dhe apeloi menjëherë kundër vendimit.
Sipas të përditshmes belge ‘Le Soir’, përfaqësuesit e qeverisë së rajonit Wallonia nuk u paraqitën në një seancë gjyqësore më 16 nëntor, sepse për pesë ditë askush nuk u mor me dosjen në administratën publike për shkak të kombinimit të një fundjave dhe festave publike.
Letra e ftesës u pranua më 10 nëntor, por një ditë më pas ishte Dita e Armëpushimit që përkujton fundin e Luftës së Parë Botërore që është festë publike në Belgjikë. Pushimi ra të enjten dhe shumica e zyrtarëve zgjatën pushimin edhe pas fundjavës.
Pastaj më 15 nëntor, të hënën, ishte Dita e Mbretit, po ashtu ditë feste për administratën publike.
Si pasojë, askush nuk u mor me dosjen dhe seanca u zhvillua në mungesë të zyrtarëve të rajonit Wallonia.
Përdorimi i CST-së është i detyrueshëm në të gjithë Belgjikën dhe qytetarët duhet të posedojnë atë kur hynë në restorante, palestra dhe ambiente kulturore. Por zyrtarisht, qeveritë rajonale janë përgjegjëse për vendosjen e masave kufizuese sipas sistemit federal-shtetëror. /aa