Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka marrë pjesë në hapjen e një pompe të benzinës dhe të objektit të shitjes me pakicë të Industrisë së Naftës të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, pavarësisht vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i tha më herët gjatë ditës Radios Evropa e Lirë se Gjuriqit i është refuzuar kërkesa për vizitë në Kosovë.
Vendimi u mor një ditë pasi ministrja për dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, reagoi ndaj “përpjekjes për veprimtari ilegale të Industrisë së Naftës së Serbisë në Kosovë”.
Ajo tha se për këtë veprim është njoftuar edhe BE-ja dhe ua ka tërhequr vërejtjen institucioneve të shtetit, marrë parasysh se “kjo kompani sjell naftën ruse në Kosovë”.
Ministrja Tahiri ka kërkuar nga BE-ja që të ndalojë veprimtaritë që janë në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit.