Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se vendimi nga ana e institucioneve të Kosovës “për konfiskimin e ‘Trepçës’ janë të pavlefshme për qeverinë serbe, institucionet e saj, bizneset dhe qytetarët e Republikës së Serbisë”.
Në konferencë për shtyp të mbajtur sot, e shtunë, Gjuriq njoftoi se qeveria serbe të hënën do të kërkojë një takim urgjent në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në lidhje me “konfiskimin e pasurisë së Serbisë dhe shkelje të rezolutës 12 44, me të cilën sigurohet paqja dhe stabiliteti në rajon”, njofton Klan Kosova.
“Atë që nuk duan ta flasin në Bruksel (për Trepçën), do të duhet të diskutohet në OKB”, ka thënë Gjuriq.
“Trepça është themeli i ekzistencës sonë në Kosovë”.
Ai shtoi se ky vendim për Trepçën nga autoritete e kosovare është një përpjekje për të përfunduar spastrimin etnik të serbëve nga Kosova.
“Vendimi është i pavlefshëm dhe i pazbatueshëm, pastaj ka edhe pasoja kur është fjala për marrëdhëniet ligjit të punës, marrëdhëniet debitor-kreditor dhe detyrimet të tjera”, tha Gjuriq.