Mungesa e gjumit te fëmijët ka ndërlidhje me diabetin e tipit 2, thuhet në një hulumtim të publikuar në ueb faqen e “Science Daily”. Sipas zbulimit, fëmijët të cilët flenë më pak se koha e rekomanduar, ka më shumë gjasa që të shihen rastet e diabetit të tipit 2, nivel të lartë të sheqerit të gjakut dhe rezistencë të insulinës.
Hulumtuesit në Britani të Madhe kanë ekzaminuar statistikat vitale, gjakun të 4.525 fëmijë të moshave 9-10 vjeçare, të cilëve iu rekomandohej të flenë mesatarisht 10 orë në ditë.
Në hulumtim konstatohet se fëmijët të cilët flenë më shumë se mesatarja kanë peshë të trupit dhe masë të yndyrës më të ulët, kurse ata që flenë më pak kanë nivel të lartë të insulinës, rezistencë të insulinës dhe sheqer të gjakut, të cilat janë faktorët e rrezikut të diabetit të tipit 2.
Kryesuesi i hulumtimit nga Universiteti St. George në Londër, Prof. Christopher G. Owen njoftoi se rezultatet kanë treguar që me rritjen e kohës së kaluar në gjumë mund të ulet rreziku nga diabeti i tipit 2 në periudhat e para të jetës.
Owen thotë se rritja e orës së gjumit në fëmijëri, mund të ketë ndikime edhe në gjendjen shëndetësore në periudhat e rritjes.
Në hulumtim theksohet se rritja e kohës së gjumit për gjysmë orë brenda javës, mund të ulë indeksin e masës së trupit për 0,1 kg/m² dhe rezistencën e insulinës për 0,5 për qind, dhe që ulja e këtyre masave mund të ketë ndikime afatgjate në uljen e rrezikut të diabetit të tipit 2 për periudhat e ardhshme të jetës.
Në anën tjetër, në hulumtim thuhet se nuk është gjetur ndonjë ndërlidhje mes kohës së gjumit dhe rreziqeve kardiovaskulare, lipideve të gjakut dhe tensionit.
Rezultatet e këtij hulumtimi do të publikohen në numrin e shtatorit të revistës “Pediatrics”.