Gjukanoviç pas takimit me Erdoğan: Turqia insiston në dyer të hapura të NATO-s dhe BE-së për Ballkan

Republika e Turqisë në mënyrë të shkëlqyer e kupton deficitin e stabilitetit që e kemi në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën për të kapërcyer atë deficit përmes proceseve të integrimit evropian dhe euroatlantik. Kjo është arsyeja pse Republika e Turqisë insiston në dyer të hapura të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, deklaroi presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç pas takimit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në Cetinje, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai shprehu kënaqësinë që Republika e Turqisë kontribuon në perspektivën evropiane dhe euroatlantike të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në konferencën për media pas takimit me presidentin turk, Gjukanoviç gjithashtu shprehu kënaqësinë me respektin që Erdoğan tregoi për Malin e Zi me vizitën e tij.

“Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë miqësore, marrëdhëniet ndërshtetërore janë shumë të zhvilluara dhe ndërkohë, falë anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, ne jemi bërë partner përgjegjës në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, tha Gjukanoviç.

Ai i vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve si kuptimplota, të mbushura me lidhje historike dhe kulturore.

Sipas tij, diaspora malazeze në Republikën e Turqisë, e cila numëron më shumë se 150 mijë njerëz, është një urë e rëndësishme që lidh dy vendet.

“Këta njerëz janë kthyer emocionalisht në vendin e origjinës, Malin e Zi dhe në të njëjtën kohë qytetarë përgjegjës të Republikës së Turqisë”, tha Gjukanovic.

Ai shtoi se Bashkësia Islame në Mal të Zi është një faktor i besimit multietnik në vend.

Gjukanoviç theksoi se Mali i Zi dhe Republika e Turqisë kanë marrëdhënie në secilën fushë.

“Presidenti Erdoğan dhe unë u pajtuam se ka hapësire reale për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike, për rritjen e tregtisë së jashtme dhe investimeve”, tha Gjukanoviç, duke shtuar se ata diskutuan për lëvizjet që duhet të bëhen në periudhën e ardhshme që të shfrytëzohen shanset.

Presidenti i Malit të Zi tha se e ka njoftuar presidentin e Republikës së Turqisë për realitetin e jetës politike në Mal të Zi, duke deklaruar se Mali i Zi është stabil. Ai shprehu mirënjohjen për vizitën në Mal të Zi dhe besimin se do të jetë një hap i rëndësishëm në ruajtjen e miqësisë dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Presidenti turk Erdoğan mbërriti të shtunën për vizitë në Mal të Zi, pas vizitës në Bosnjë e Hercegovinë gjatë së cilës ai vizitoi Varrezat e Dëshmorëve Kovaçi në Sarajevë, hapi Xhaminë e Bashçarshisë dhe u takua me kryesuesin dhe anëtarët e Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiç, Shefik Xhaferoviç dhe Milorad Dodik. /aa