Gjuha politike dhe shkeljet e masave shëndetësore gjatë fushatës zgjedhore

Në Kosovë sipas masave të vendosura nga autoritetet për të frenuar përhapjen e pandemisë COVID-19, ndalohet grumbullimi i më shumë se 30 personave në hapësira të mbyllura. Po ashtu ndalohet grumbullimi i çfarëdoshëm i më shumë se 50 personave në një vend.

Por, përgjatë fushatës së partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, numri i pjesëmarrësve nëpër tubime është shumëherë më i lartë sesa që parashihet me këto masa.

“Partitë politike kanë një shumë të caktuar që e pranojnë nga buxheti i Kosovës, që janë taksa të qytetarëve, kjo nënkupton se qytetari rrezikon ta merr sëmundjen COVID nga tubimet e partive politike, ndërsa gjobën indirekt e paguan prap qytetari. Kështu që po shohim definitivisht që partitë nuk e kanë interes fare qytetarin, thjeshtë për ta është e rëndësishme të marrin votat dhe të vijnë në pushtet”, thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Vëzhguesit thonë se shkelja e masave nga partitë politike është shembull i keq kundrejt thirrjeve drejruar qytetarëve për masa kujdesi.

“Fatkeqësia qëndron te fakti se nuk janë duke u gjobitur. E kemi vetëm komunën e Prishtinës e cila ka gjobitur disa parti që nuk i kanë respektuar masat por jo edhe komunat tjera. Ne si FOL kemi kërkuar qasje në të dhënat e disa komunave por fatkeqësisht ka edhe një konfuzion mbi atë se kujt i takon shqiptimi i gjobave, nivelit komunal apo qendror sa i takon tubimeve të partive”, thotë Megjide Nimani – Demolli nga organizata “FOL”.

“Në kohën kur krejt Evropa ka filluar të respektojë masa kufizuese, në Kosovë po kemi tubime të mijëra njerëzve nëpër sheshe publike, madje po shohim liderë partiakë duke hyrë nëpër shtëpi te qytetarëve pa respektuar asnjë masë mbrojtëse, mendoj që ky është mesazh shumë i keq”, thotë Arton Demhasaj nga orgamizata “Çohu”.

Përveç kësaj, ata tërheqin vërejtjen edhe te gjuha, siç thonë, jo e përshtatshme politike e partive përgjatë fushatës.

“Mendoj që partitë politike duhet të jenë të kujdesshme në gjuhën e ndërsjellë që e përdorin sepse pastaj ky polarizim mund të rrëshqasë edhe te militantët dhe elektorati i partive politike e mund të eskalojë pastaj edhe në konflikte të ndërsjella”, thotë zoti Demhasaj.

“Këto parti politike fushatën agresive nuk janë duke e bërë në drejtim të arsyetimit të planprogrameve të tyre, më shumë kjo fushatë është me sulme ndaj individëve apo partive politike. Në këtë drejtim unë besoj që koston e kësaj që do ta paguajmë si shtet nga kjo gjuhë dhe mënyra se si po funksionon kjo fushatë është se sigurisht do të kemi zgjedhjet më të këqija që janë organizuar ndonjëherë, përjashto ato të vitit 2010. Do të kemi një raport me siguri negativ nga vëzhguesit e Bashkimit Evropian por edhe të ambasadave të huaha”, thotë zoti Miftaraj.

Ambasadat perëndimore madje që para fillimit të fushatës zyrtare dhjetëditëshe u kanë bërë thirrje të gjitha partive politike që të përmbahen nga sulmet personale në funksion të krijimit të një mjedisi për zgjedhje të lira e të drejta./VoA