Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini e konsideron tepër tragjike faktin se individ dhe grupe të caktuara po promovojnë bindje antishtetërore për Kosovën, që sipas tij janë bindje që i japin të drejtë Serbisë karshi shtetit kosovar.
“Më shumë se tridhjetë vjet, më shumë se një gjeneratë, kemi punuar që së pari ta bindim vetveten e pastaj edhe gjithë botën se e kemi edhe vullnetin edhe mundësitë që të funksionojmë si shtet i pavarur dhe sovran. Tridhjetë vjet, Serbia ka provuar të na bind neve (me dhunë) dhe gjithë botën (me rrena propagandistike) se ndoshta e kemi vullnetin por se nuk do të mund të funksionojmë”, ka shkruar Gjini në facebook.
“Unë e shoh si tragjedi faktin se ka shqiptarë të Kosovës, që pas shpalljes së pavarësisë, provojnë të na bindin edhe neve edhe botën se,… Serbia paska pasur të drejtë”, shkruan ai.
“Budallallëku brina nuk ka”, vazhdon tutje nënkryetari i AAK-së.
“Kërkoj falje por kjo histeri antishtetërore nga brenda më së buti thënë është budallallëk par excellence”, përfundon ai.
Ndryshe, ky reagim i Adrian Gjinit vjen pas disa shkrimeve të disave prej anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktivistëve të saj, përfshirë edhe kreun e saj Visar Ymeri, i cili ishte i pari që nisi këto polemika me një postim të tij në facebook ku uroi vetëm Kombëtaren e Shqipërisë në futboll duke injoruar atë të Kosovës.