Gjiganti kinez “Xiaomi” do të hapë fabrikën e prodhimit në Turqi

Prodhuesi kinez i pajisjeve “Xiaomi” ka vendosur të hapë një fabrikë prodhimi në Stamboll në tremujorin e parë të këtij viti me një investim prej 30 milionë dollarësh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kompania kineze njoftoi se Turqia do të jetë vendi i katërt në botë ku Xiaomi po fillon prodhimin.

Kompania në fabrikën turke do të punësojë rreth 2 mijë persona dhe do të ketë një kapacitet vjetor të prodhimit prej 5 milionë telefonash të mençur.

“Do të vazhdojmë investimet tona pa pushuar dhe shpresojmë me veprimet tona të lëvizim gjithmonë një hap më tej”, tha Usher Liu, menaxher i kompanisë Xiaomi në Turqi, duke kujtuar se kompania operon për Turqinë që nga viti 2019.

Në njoftimin e kompanisë thuhet se Xiaomi në këtë investim po bashkëpunon me prodhuesin e karikuesve Salcomp ku do të vazhdojë të zhvillohet me teknologji të reja.

Drejtori i kompanisë Salcomp për Evropën, David Chang tha se kompania me këtë investim synon të kontribuojë në ekonominë e Turqisë, duke e quajtur atë një hap fillestar.

“Ne jemi shumë të kënaqur që do të kemi mundësinë për të bërë projekte të mëdha në Turqi”, tha Chang.