Gjigandi saudit i naftës Aramco raporton rënie të fitimit prej 44 për qind më 2020

Fitimet e Aramco-s në vitin 2020 ishin 49 miliard dollarë krahasuar, me 88,2 miliardë dollarë më 2019

Kompania shtetërore e naftës e Arabisë Saudite, Aramco, njoftoi se fitimet e saj në vitin 2020 kanë rënë për 44,4 për qind, duke arritur në 49 miliardë dollarë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjiganti i naftës tha se fitoi 138 miliardë rialë sauditë (49 miliardë dollarë) në vitin 2020, krahasuar me 330,7 miliardë rialë (88,2 miliardë dollarë) më 2019.

Kompania më e madhe e naftës në botë tha se rënia ishte për shkak të pandemisë së koronavirusit që tronditi tregjet e energjisë në botë në vitin 2020.

“Në një nga vitet më sfiduese në historinë e fundit, Aramco demonstroi ofertën e saj unike të vlerës përmes aftësisë së saj të konsiderueshme financiare dhe operacionale”, tha shefi ekzekutiv i Aramco-s, Amin Nasser.

Kompania saudite e naftës, megjithatë, tha se vazhdon të shpërndajë pagesën e dividendit tek aksionarët e saj me vlerë 75 miliardë dollarë për vitin 2020.

Arabia Saudite u ndikua keq nga pandemia e koronavirusit pasi eksportet e saj të naftës ranë për shkak të uljes së çmimeve të naftës.

Në vitin 2020, mbretëria regjistroi një deficit prej 79,5 miliardë dollarësh, ku të ardhurat e saj arritën në 205,5 miliardë dollarë, ndërsa shpenzimet e saj u rritën në 285 miliardë dollarë.

Buxheti i Arabisë Saudite për vitin 2021 gjithashtu regjistroi një deficit prej 38 miliardë dollarësh pasi ajo pret të shpenzojë 264 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat e saj pritet të arrijnë në 226 miliardë dollarë./aa