Gjermania zgjeron eksportet ush’tarake në Iz’rael

Sipas shifrave zyrtare të autoriteteve gjermane, vendi ka filluar të zgjerojë eksportet e saj ushtarake në Izrael, pavarësisht shenjave shqetësuese të gjenocidit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka konfirmuar se në tre muajt e fundit qeveria ka miratuar 94 milionë euro pajisje ushtarake dhe armë për Izraelin.

Shifrat u publikuan në përgjigje të një pyetjeje parlamentare nga partia opozitare e krahut të majtë e Aleancës Sahra Wagenknecht (BSW).

Vëllimi i eksporteve ushtarake të raportuara nga Ministria e Punëve të Jashtme ishte dy herë më i madh se 45.7 euro, që Ministria e Çështjeve Ekonomike raportoi në komisionin ekonomik të parlamentit gjerman javën e kaluar.

Së fundmi, qeveria gjermane rifilloi shitjen e saj të pajisjeve ushtarake dhe armëve të luftës në Izrael, pasi mori garanci me shkrim nga Tel Avivi se do të pajtohet me ligjin ndërkombëtar kur përdor armët e prodhimit gjerman.

Berlini thuhet se në muajin mars ndërpreu furnizimin me armë për Izraelin, pasi Nikaragua ngriti një çështje kundër Gjermanisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke e akuzuar Berlinin për ndihmë në “gjenocidin” në Gaza.

Gjermania prej kohësh ka qenë aleat kyç i Izraelit, me kancelarin Olaf Scholz që shpesh thekson përgjegjësinë e veçantë të Gjermanisë për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës naziste të vendit.

Megjithatë, kritikët argumentojnë se mbështetja e palëkundur e Gjermanisë për qeverinë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, po dëmton besueshmërinë e saj ndërkombëtare dhe po izolon më tej Berlinin në skenën globale.

Që kur Izraeli filloi fushatën ushtarake kundër Hamasit në Gaza tetorin e vitit të kaluar, të paktën 42.700 palestinezë janë vrarë dhe mbi 100 mijë të tjerë janë plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Izraeli aktualisht po përballet me një çështje gjenocidi në GJND për veprimet në Gaza, ku miliona palestinezë mbeten të zhvendosur dhe përballen me mungesa të rënda ushqimore, furnizime mjekësore dhe sende të tjera thelbësore.