Gjermania vazhdon kontrollet për të ndaluar migracionin e paligjshëm

Ministrja e Brendshme Nancy Faeser

Gjermania njoftoi planet për t’i zgjatur kontrollet kufitare përtej marsit 2025, si pjesë e përpjekjeve për ta luftuar migracionin e paligjshëm.

“Masat tona gjithëpërfshirëse për ta kufizuar migrimin e parregullt dhe për ta luftuar krimin e kontrabandës po funksionojnë”, tha Ministrja e Brendshme Nancy Faeser për gazetën “Augsburger Allgemeinen”, duke shtuar:

“Ne kemi nevojë për këto kontrolle derisa mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së të rritet ndjeshëm”.

Në shtator, Gjermania zgjati për gjashtë muaj kontrollet kufitare edhe në perëndim dhe veri, përpos atyre në jug dhe lindje, duke përmendur migrimin e parregullt, krimin ndërkufitar dhe kërcënimet terroriste.

Kontrollet kufitare ishin vendosur tashmë me Francën për shkak të Lojërave Olimpike në Paris dhe në kufijtë me Poloninë, Republikën Çeke dhe Zvicrën që nga mesi i tetorit të vitit të kaluar. Kontrollet në kufirin tokësor gjermano-austriak kanë vazhduar që nga viti 2015.

Fqinjët e Gjermanisë, duke përfshirë Danimarkën, Holandën, Belgjikën dhe Luksemburgun, janë të gjithë pjesë e zonës Schengen.

Kontrollet e përkohshme kufitare brenda zonës Schengen lejohen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, si ngjarje të mëdha ndërkombëtare ose kërcënime të rëndësishme për rendin publik.

Presioni ndaj Gjermanisë për ta trajtuar migracionin e parregullt u intensifikua pas një sulmi me thikë në Solingen gushtin e kaluar.

Një sirian të cilit i ishte refuzuar kërkesa për azil, i cili mbërriti në vitin 2022 dhe ishte planifikuar të deportohej në Bullgari, vrau tre persona dhe plagosi tetë të tjerë. Grupi terrorist DEASh mori më vonë përgjegjësinë për atë sulm.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, mbetet një destinacion kryesor për migrantët e parregullt dhe azilkërkuesit. Vitin e kaluar, autoritetet regjistruan 266.224 raste të hyrjes dhe qëndrimit të paligjshëm, ndërsa shumica e emigrantëve vinin nga Siria dhe Afganistani.