Gjermania, vendi kryesor i Bashkimit Evropian, i cili mban peshën kryesore të vendimit për zgjerimin ose jo të vetë BE-së, është tepër skeptike për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Përtej entuziazmit të qeverisë shqiptare dhe plogështisë së opozitës në vend, Gjermania nuk ka akoma një qëndrim të qartë për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë.
Gazeta Shekulli ka marrë një prononcim ekskluziv me disa zyrtarë të lartë të Bundestagut gjerman dhe të grupimit të CDU/CSU-së. Ata flasin njëzëri për një qëndrim negativ ndaj Shqipërisë. Sipas tyre, asnjë kriter nuk është plotësuar nga Shqipëria, në mënyrë që të hapen negociatat me Shqipërinë.
Votimet e 30 qershorit kanë qenë të vjedhura dhe votat janë blerë në masë. Problem thelbësor mbetet dështimi i sistemit të drejtësisë, për të cilën vetë Bashkimi Evropian ka investuar aq shumë. Mendohet që shifra total që Bashkimi Evropian ka shpenzuar, llogaritet në 200 milionë euro.
Këto ditë jemi mbledhur me grupin parlamentar të CDU/CSU në një diskutim të vështirë me dyer të mbyllura, në lidhje me pozicionin tonë nëse do të duhet të japim dritën jeshile për fillimin e negociatave me Shqipërinë apo jo. Java që vjen do të jetë përcaktuese. Shqipëria nuk ka përmbushur deri tani asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave, të përmendura nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian, në qershor 2018, veçanërisht paragrafi 54, përveç fazës së parë të procesit të Vettingut.
Sistemi i drejtësisë nuk po funksionon, as Gjykata Kushtetuese, as Gjykata e Lartë, as Prokuroria e re e Përgjithshme, as SPAK-u as BKH-ja. Nuk ka asnjë dënim përfundimtar të zyrtarëve të lartë të përfshirë në krimin e organizuar apo në fushën e luftës kundër korrupsionit, (peshqit e mëdhenj si Tahiri janë shumë të rëndësishëm, nuk janë të vegjël në këtë rast). Nuk keni asnjë ligj të ri elektoral! Trafiku i drogës është rritur. Më pas vijmë tek problemi më i madh që ka të bëjë me blerjen e votës dhe votimet e 30 qershorit. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz këtu në Berlin thonë që Shqipëria duhet të presë deri sa të përmbushë të gjitha kriteret dhe detyrimet për hapjen e negociatave. Por ne do të shikojmë nëse do të ketë ndonjë zhvillim për negociatat, mund të japim një dritë jeshile në përgjithësi, por jo që të fillojmë negociatat.