Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjermania thërret diplomatin e Koresë së Veriut lidhur me pretendimin e Ukrainës

Gjermania thërret diplomatin e Koresë së Veriut lidhur me pretendimin e Ukrainës

Gjermania ka thirrur të ngarkuarin me punë të Koresë së Veriut në Ministrinë e Punëve të Jashtme pas raportimeve se Pheniani ka dërguar trupa për të mbështetur luftën e Rusisë në Ukrainë që vazhdon që nga viti 2022, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë njoftoi se pozicioni dhe shqetësimet e Gjermanisë iu përcollën diplomatit të Koresë së Veriut.

“Zyra e Jashtme Federale thirri sot të ngarkuarin me punë të Koresë së Veriut. Mbështetja për luftën e agresionit të Rusisë kërcënon sigurinë e Gjermanisë dhe rendin evropian të paqes. Nëse raportet për ushtarët e Republikës Popullore Demokratike të Koresë (DPRK) në Ukrainë janë të vërteta dhe DPRK-ja po mbështet luftën e agresionit të Rusisë në Ukrainë me trupa, ky zhvillim do të ishte jashtëzakonisht serioz dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar”, tha ministria gjermane.

Dje, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy pohoi se raportet e fundit të inteligjencës tregojnë se Koreja e Veriut po përgatit dy brigada ushtarake për të mbështetur përpjekjet e Rusisë për luftën në Ukrainë.

“Në veçanti, ne kemi informacione se dy njësi të personelit ushtarak nga Koreja e Veriut janë duke u trajnuar, potencialisht edhe dy brigada me nga 6 mijë persona secila”, tha Zelenskyy në një video-adresim mbrëmë.

Exit mobile version