Gjermania shpreh “shqetësim të madh” pas raportit kritik të OKB-së për lu’ftën iz’raelite në Ga’za

Zv/zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Christian Wagner

Gjermania shprehu “shqetësim të madh” pas një raporti të OKB-së, i cili arriti në përfundimin se veprimet ushtarake të Izraelit ishin në përputhje me karakteristikat e gjenocidit, raporton Anadolu.

“Këto raporte na mbushin me shqetësim të madh. Thjesht kur i shihni këto raporte, së bashku me imazhet nga Gaza dhe raportet e vuajtjeve nga Gaza, ka vërtet pikëpyetje të mëdha në lidhje me kryerjen e operacioneve të Izraelit në Gaza”, tha zv/zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Christian Wagner, në një konferencë për media në Berlin.

Ai i bëri thirrje Izraelit “të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar në Gaza” pasi Komiteti Special i OKB-së dje akuzoi Tel Avivin për krijimin e qëllimshëm të kushteve kërcënuese për jetën ndaj palestinezëve, duke përfshirë përdorimin e urisë si një metodë lufte.

“Që nga fillimi i luftës, zyrtarët izraelitë kanë mbështetur publikisht politikat që ua pamundësojnë palestinezëve nevojat elementare jetësore: Ushqimin, ujin dhe karburantin”, thuhet në raportin e komitetit të OKB-së, duke shtuar se Izraeli ka ndërhyrë sistematikisht me ndihmën humanitare për të përdorur furnizimet jetike për qëllime politike dhe ushtarake.

Duke mbuluar periudhën nga fillimi i ofensivës së Gazës në tetor 2023 deri në korrik 2024, raporti theksoi ndikimin shkatërrues të fushatave të vazhdueshme të rrethimit dhe bombardimeve të Izraelit. Ai nënvizoi se si shkatërrimi i infrastrukturës së Gazës, përfshirë sistemet e ujit, kanalizimeve dhe ushqimit, ka çuar në një fatkeqësi humanitare.

“Duke shkatërruar sistemet jetike të ujit, kanalizimeve dhe ushqimit, dhe duke ndotur mjedisin, Izraeli ka krijuar një përzierje vdekjeprurëse të krizave që do të shkaktojnë dëme të rënda në brezat që do të vijnë”, paralajmëroi komiteti.

Raporti ngriti gjithashtu shqetësime për përdorimin e sistemeve me inteligjencë artificiale nga Izraeli në operacionet ushtarake, të cilat pretendohet se kanë çuar në viktima joproporcionale civile, veçanërisht në mesin e grave dhe fëmijëve.

“Shënjestrimi i ndihmuar nga inteligjenca artificiale i përdorur nga ushtria izraelite, me mbikëqyrje minimale njerëzore, i kombinuar me bomba të rënda, thekson shpërfilljen që Izraeli ia bën detyrimit të tij për të bërë dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve”, tha komiteti.

Kritika të mëtejshme iu drejtuan censurës mediatike të Izraelit dhe shtypjes së mendimeve ndryshe, si dhe sulmet ndaj organizatave të OKB-së dhe punonjësve humanitarë.

Komiteti bëri thirrje gjithashtu për përgjegjësi ndërkombëtare, duke u kërkuar vendeve anëtare të OKB-së që të ndalojnë mbështetjen për veprimet e Izraelit në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

“Dështimi për ta bërë këtë dobëson thelbin e sistemit juridik ndërkombëtar dhe krijon një precedent të rrezikshëm, duke lejuar që mizoritë të mos kontrollohen”, thuhet në raport.

Gjetjet e komitetit do të paraqiten të hënën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij shkatërruese në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023. Sulmi ka vrarë më shumë se 43.700 njerëz dhe ka plagosur rreth 103 mijë të tjerë, duke e bërë enklavën pothuajse të pabanueshme.

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.